Foto: AA
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali ka deklaruar se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian (BE) gëzon mbështetje të fuqishme popullore.
Kryeparlamentarja Spiropali ka marrë pjesë në Konferencën e Kryetarëve të Parlamenteve të Vendeve të Iniciativës Adriatiko-Joniane në Janinë të Greqisë.
Spiropali ka theksuar në fjalën e saj se tema e këtij takimi adreson çështje jetike të rajonit të Ballkanit Perëndimor, të Nismës Adriatiko-Joniane, të BE-së si edhe të gjithë kontinentit të Evropës.
Ajo u shpreh se duke pasur parasysh zhvillimet e sotme në botë, BE-ja, sipas saj “si një ndër projektet më të bukura të qytetërimit bashkëkohor”, po përballet me sfida të shumta.
“Këto sfida kërkojnë një Evropë më të madhe, më të fortë, më të sigurt, më solidare, kërkojnë një Evropë të re në një botë re, e cila po ndryshon dramatikisht. Në këtë Evropë të re kufijtë politikë do të afrohen gjithnjë e më shumë me kufijtë gjeografikë dhe kulturorë të saj. Zgjerimi, më tepër se asnjëherë më parë, nuk përbën më një barrë, por një zgjidhje dhe vendet e Ballkanit Perëndimor nuk përbëjnë më një problem të shtuar, por një vlerë të shtuar për BE-në”, tha ajo.
Spiropali shtoi se kanë vendosur si objektiv strategjik kombëtar përfundimin e procesit të negociatave teknike brenda vitit 2027 dhe anëtarësimin në BE brenda vitit 2030.
“Anëtarësimi në BE gëzon mbështetje të fuqishme popullore. Sondazhet tregojnë që 95 për qind e popullsisë mbështet anëtarësimin. Kjo e bën Shqipërinë vendin më pro BE-së në Evropë. Anëtarësimi në BE ka mbështetje të plotë dhe konsensuale në Kuvendin e Shqipërisë”, u shpreh ajo.
Iniciativa Adriatiko-Joniane bashkon vendet e Ballkanit Perëndimor dhe vende anëtare të BE-së, si një mundësi më shumë për të afruar rajonin me BE-në dhe gjithashtu ofron bashkëpunimin dypalësh midis vendeve pjesëmarrëse të iniciativës.