Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq ka deklaruar se ministrja Naida Nishiq javën e ardhshme do të nisë bisedimet me përfaqësuesit e sindikatave dhe të punëdhënësve, ku do të konkretizohet versioni përfundimtar i reformës për futjen e orarit të punës prej shtatë orësh.
“Pas diskutimeve të gjera për të gjetur një model që do të kënaqte si sindikatat ashtu edhe punëdhënësit, mund të konstatojmë se jemi pranë një zgjidhjeje në lidhje me futjen e orarit të punës prej shtatë orësh”, deklaroi Spajiq.
Kryeministri shtoi se që në fillim të javës së ardhshme, ministrja Nishiq do të udhëheqë bisedimet në kuadër të dialogut social me përfaqësuesit e sindikatave dhe punëdhënësve, ku – siç theksoi ai – do të qartësohet versioni final i kësaj reforme.
Qëllimi, sipas kryeministrit, është që përmes konsultimeve të gjera të zbatohet një nga reformat më të mëdha në fushën e punës, me synimin për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve tanë dhe për të pasur më shumë kohë për familjen, por edhe për një punë më efikase dhe produktive.
“Pikërisht ashtu siç janë zbatuar programet Evropa Tani 1 dhe Evropa Tani 2 – me pajtimin e punëdhënësve dhe të sindikatave – edhe hapat konkretë për reformën e orarit të punës 7 orë do të ndërmerren vetëm me mbështetjen e plotë të partnerëve socialë,” theksoi kryeministri.
Spajiq shprehu besimin se ministrja Nishiq, në emër të Qeverisë, do të bëjë gjithçka që në një afat optimal të arrihet një marrëveshje, në mënyrë që të përmbushen pritshmëritë e qytetarëve dhe të forcohet pozita e të gjithë të punësuarve në Mal të Zi.