Foto: Igli Hasani-mediat sociale
Sot në Bruksel është mbajtur Konferenca e Pestë Ndërqeveritare midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian (BE), duke u hapur kapituj të rinj për negociatat e anëtarësimit, raporton Anadolu.
Me konferencën e sotme janë hapur 8 kapituj të rinj të grupimit të 3-të “Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse”.
Delegacioni i Shqipërisë në konferencën e sotme ndërqeveritare u kryesua nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ndërkohë pjesë ishin dhe ministra të tjerë dhe zyrtarë të ndryshëm.
Në një reagim në rrjetet sociale, ministri Hasani ka shkruar se Shqipëria qëndron pranë BE-së dhe BE-ja qëndron pranë Shqipërisë, duke e konsideruar konferencën e sotme një tjetër moment të rëndësishëm.
“Hapja e sotme e 8 kapitujve të rinj pasqyron progresin e bazuar në meritë të Shqipërisë dhe është një shenjë e qartë se sa larg kemi arritur në një kohë kaq të shkurtër. Rruga jonë drejt BE-së nuk ka qenë kurrë më e qartë ose më e vendosur”, ka shkruar Hasani.
Hapja e kapitujve të rinj në negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, konsiderohet nga autoritetet shqiptare si një hap i rëndësishëm e historik në negociatat e vendit për anëtarësim në BE.
Shqipëria është vend kandidat për anëtarësimin në BE që nga viti 2014. Konferenca e Parë Ndërqeveritare midis Shqipërisë dhe BE-së është mbajtur në korrik 2022. Në tetor 2024 u mbajt konferenca e dytë ndërqeveritare, duke shënuar hapjen zyrtare të negociatave për grup-kapitujt e parë, ndërsa konferenca e tretë ndërqeveritare u mbajt në dhjetor 2024. Në prill në Luksemburg u mbajt konferenca e katërt ndërqeveritare, duke u hapur kapituj të rinj në negociatat për anëtarësimin.
Shqipëria synon të hapë kapitujt e mbetur këtë vit dhe të përfund ojë negociatat deri në vitin 2027, ndërkohë synon anëtarësimin e plotë deri në vitin 2030.