Foto; AA
Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, në përfundim të vizitës së saj në Kosovë të premten, e vizitoi edhe Mitrovicën e Veriut, ku u ndal në zyrën e EULEX-it dhe u takua me përfaqësues të arsimit dhe sistemit të drejtësisë.
Në një deklaratë të shkurtër për media në Mitrovicën e Veriut, Kallas tha se ishte e rëndësishme shkuarja në pjesën veriore të Kosovës, sepse “atje dëgjohen narrative të ndryshme”.
“Është e rëndësishme ta shohim vetë se çfarë po ndodh në terren dhe çfarë thonë njerëzit. Vizitova gjykatën që funksionon dhe që po pret kthimin e gjyqtarëve serbë. Gjithashtu u takova me përfaqësues të shkollave këtu për të kuptuar më mirë situatën, për të biseduar me qytetarët dhe për të parë me sytë e mi se çfarë ndodh në këtë pjesë”, deklaroi ajo.
Qindra pjesëtarë të komunitetit serb në veri dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, përfshirë komunat, policinë, gjykatat dhe prokurorinë, në nëntor të vitit 2022, pas një vendimi të Qeverisë së Kosovës për t’i zëvendësuar targat serbe të makinave me targa të Kosovës.
Nga ajo kohë, kryetarët e komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, u zëvendësuan me udhëheqës shqiptarë, pasi komuniteti shumicë serb në zonë i bojkotoi zgjedhjet.
Në gjykata, prokurori dhe polici, punonjësit serbë nuk u kthyen më.
Në një postim në Instagram, të shoqëruar me video nga takimi në gjykatë, Kallas shkroi se Bashkimi Evropian mbetet i mendimit se “kthimi i gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit serb të Kosovës është thelbësor për drejtësinë, stabilitetin dhe bashkëjetesën shumetnike”.
Në Mitrovicën e Veriut, Kallas shtoi gjithashtu se forcat ndërkombëtare ofrojnë një pasqyrë të qartë dhe reale të situatës në terren, për të cilën “njëra palë thotë një gjë, ndërsa pala tjetër diçka tjetër.”
“Është thelbësore të flitet me njerëzit në terren për të parë se çfarë mund të bëjmë më shumë që e ardhmja të jetë e sigurt dhe e begatë për të gjithë në Kosovë”, përfundoi ajo.