Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, ka deklaruar se Ministria që ai drejton ka realizuar të gjitha objektivat e parashikuara për vitin e parë të zbatimit të Agjendës së Reformave të Malit të Zi 2024–2027, që nga miratimi i saj nga Qeveria rreth tetë muaj më parë.
Siç theksoi ai, Agjenda e Reformave 2024–2027, e miratuar nga Qeveria më 26 shtator 2024, është një dokument kyç për zbatimin e reformave të domosdoshme për përshpejtimin e integrimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian dhe për miratimin e 383,5 milionë eurove në formë grantesh dhe kredish të favorshme.
“Ne kemi miratuar Planin për zbatimin e plotë të shërbimeve publike elektronike transaksionale në nivel kombëtar dhe lokal për periudhën 2025–2027, i cili vendos drejtimin e qartë të zhvillimit të mëtejshëm të shërbimeve elektronike. Kemi ngritur një platformë funksionale për administratën elektronike dhe për ndërveprueshmërinë e regjistrave, duke mundësuar kështu një rrjedhë më efikase, më të sigurt dhe më të shpejtë të të dhënave ndërmjet institucioneve, si dhe një qasje më të lehtë në shërbime për qytetarët dhe bizneset. Kemi përgatitur dhe Kuvendi ka miratuar Ligjin për Sigurinë e Informacionit, i cili është plotësisht i harmonizuar me Direktivën NIS2 të Bashkimit Evropian, duke e pozicionuar Malin e Zi si një partner të besueshëm në fushën e sigurisë kibernetike dhe mbrojtjes digjitale”, tha Dukaj.
Këto arritje, theksoi ministri, përfaqësojnë një hap të rëndësishëm përpara drejt modernizimit të administratës shtetërore, por edhe një parakusht thelbësor për tërheqjen e fondeve nga Instrumenti për Reformë dhe Rritje në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, duke hapur kështu një perspektivë të re zhvillimi për Malin e Zi.
“Ato gjithashtu përbëjnë një kontribut të rëndësishëm në procesin e suksesshëm të integrimit evropian të Malit të Zi, pasi reforma e administratës publike, së bashku me sundimin e ligjit, janë shtyllat kryesore në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian”, theksoi Dukaj.
Ai shtoi se pritet që Qeveria e Malit të Zi të emërojë ushtruesin e detyrës së drejtorit të Agjencisë për Siguri Kibernetike, në mënyrë që Agjencia të fillojë të funksionojë me kapacitet të plotë dhe Mali i Zi të përmbushë detyrimet për tërheqjen e fondeve evropiane nga Mekanizmi i Mbështetjes.