Foto: Erkin Keçi/AA
Është shënuar edhe një dështim, i 20-ti me radhë, në përpjekjet për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari kërkoi nga subjektet politike të propozojnë nga një përfaqësues për Komisionin Zgjedhor, por as kësaj radhe nuk kaloi propozimi. Seanca u ndërpre, për të vazhduar pas 48-orësh.
As apelet në Prishtinë të kryediplomates së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas që partitë parlamentare të bashkëpunojnë për zhbllokimin e ngërçit politik, duket se nuk sollën asnjë ndryshim.
Në vesh të shurdhër kanë rënë po kështu edhe thirrjet e disa organizatave të shoqërisë civile, të cilat i kërkuan “të arrijnë një marrëveshje që i jep fund bllokadës”.
Arsyetimi i tyre ishte mjaft i qartë: “Kriza institucionale me bllokimin e konstituimit të Kuvendit ka kaluar çdo kufi të tolerueshëm dhe po dëmton jo vetëm parlamentin, por edhe funksionimin e gjithë sistemit demokratik dhe institucional të vendit”.
Pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 9 shkurt, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet, pasi partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), nuk po siguron votat e mjaftueshme për të zgjedhur kryetaren e Kuvendit.
Kandidatja e propozuar nga LVV për këtë post, Albulena Haxhiu, nuk ka marrë përkrahjen e nevojshme.
Subjektet politike, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Haxhiun për këtë pozitë.
Ndërsa, LVV ka deklaruar se nuk do ta ndërrojë kandidaten e tyre.
Seancat janë duke u mbajtur çdo 48 orë, por asnjëherë nuk është arritur kuorumi apo konsensusi i nevojshëm për të votuar udhëheqësen e legjislativit, çka po e mban të bllokuar procesin e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve të reja.
Nga 61 vota sa nevojiten minimalisht, kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, deri më tani ka marrë jo më shumë se 57 vota për kryetare të Kuvendit të Kosovës, të cilat 48 janë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe 9 nga deputetët që vijnë nga komunitetet. Për herë të parë seanca konstituive u mbajt më 15 prill.