PORTI I BUDVËS IU KTHYE QYTETARËVE: QEVERIA DO TË QËNDROJË PAS TË GJITHA IDEVE DHE PROJEKTEVE TË MIRA

“Kthimi i portit të Budvës te qytetarët është hapi i parë drejt valorizimit të plotë të potencialit të Budvës në kuadrin e trafikut detar”, tha kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq.

“Shteti është i vetmi që mund të çojë deri në fund projektet e mëdha strategjike, si këto, të cilat ne po i planifikojmë për valorizimin e plotë të portit në Budvë. Hapja e linjave ndërkombëtare të transportit është vetëm fillimi dhe agjenda ambicioze kërkon mbështetjen e plotë të shtetit. Unë ju garantoj se Qeveria do të qëndrojë pas të gjitha ideve të mira në Budvë, por edhe në çdo komunë tjetër. Ne presim me padurim çdo projekt të mirë, çdo iniciativë dhe roli i Qeverisë është që të mundësojë realizimin e këtyre ideve. Vetëm kështu mund të sigurojmë që të realizohen disa projekte të mëdha në të njëjtën kohë, të cilat do të çojnë në rritjen e dëshiruar ekonomike”, shtoi kryeministri Spajiq.

Ministri i Transportit dhe Çështjeve Detare Filip Radulloviq theksoi se me marrjen e menaxhimit të portit, krijohen kushte për vendosjen e linjës së trageteve me Kroacinë, por i jepet një shans zhvillimit të Portit të Budvës në të mirë të të gjithë qytetarëve.

Bashkëpunimi efektiv në mes të Qeverisë dhe Ndërmarrjes Publike „Të Mirat Detare“ zgjidhi në një kohë të shkurtër çështjen e një resursi tjetër, i cili tani u është kthyer qytetarëve.

Edhe ministri i Planifikimit Hapësinor, Urbanizmit dhe Pronës Shtetërore, Janko Odoviq, theksoi se në këtë mënyrë në një farë mënyre shpëlahet padrejtësia për shkak të shfrytëzimit të dobët të potencialit të portit.

Këtë ide e inicioi Ndërmarrja Publike „Të Mirat Detare“, ndërsa drejtori Mlladen Mikel theksoi se kjo është vazhdimësi e përpjekjeve trevjeçare për t’i kthyer resurset e rëndësishme qytetarëve.

SHARE