TAKIMI BIDEN-MCCARTHY PËRFUNDON PA MARRËVESHJE PËR TAVANIN E BORXHIT

Presidenti amerikan Joe Biden dhe kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy nuk arritën marrëveshje të hënën për rritje të tavanit të borxhit prej 31.4 trilion dollarësh të qeverisë amerikane vetëm 10 ditë përpara se një mospagesë e mundshme mund të fundosë ekonominë amerikane.

Megjithatë, të dy u zotuan të vazhdojnë të bisedimet.

Presidenti demokrat dhe republikani kryesor në Kongres janë përballur me sfida në arritjen e një marrëveshjeje.

McCarthy po ushtron presion mbi Shtëpinë e Bardhë për të rënë dakord për shkurtimet e shpenzimeve në buxhetin federal, të cilin Biden e konsideron si një kërkesë “ekstreme”.

Në të kundërt, presidenti po mbron taksat e reja të vendosura, që republikanët tashmë i kanë refuzuar.

Të dyja palët theksuan nevojën për të shmangur falimentimin me një marrëveshje dypartiake pas takimit të së hënës në mbrëmje, dhe sinjalizuan se do të bisedonin rregullisht në ditët në vijim.

“Ne përsëritëm edhe një herë se falimentimi nuk është opsion dhe mënyra e vetme për të ecur përpara është në mirëbesim drejt një marrëveshjeje dypartiake”, tha Biden në një deklaratë pas takimit, të cilin ai e quajti “produktiv”.

McCarthy u tha gazetarëve pas më shumë se një ore bisedimesh me Biden se negociatorët “do të mblidhen së bashku, do të punojnë gjatë gjithë natës” në përpjekje për të gjetur gjuhën e përbashkët.

“Unë besoj se ne ende mund ta arrijmë [marrëveshjen]”, tha McCarthy.

SHARE