PISONERO: BE-ja PRET QË MALI I ZI TË FOKUSOHET NË REFORMAT KRYESORE

Bashkimi Evropian (BE) pret që udhëheqësia e re në Mal të Zi të fokusohet në reformat kryesore që janë të nevojshme për përparimin e vendit në procesin e integrimit evropian.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian Ana Pisonero tha se institucionet evropiane janë të gatshme të bashkëpunojnë me Malin e Zi dhe të gjithë aktorët politikë për të ndihmuar vendin të qëndrojë në rrugën e tij strategjike dhe të ndërtojë një konsensus për veprimet që janë kyçe për procesin e anëtarësimit në BE.  

“Përqendrimi në reformat urgjente të shtetit të së drejtës të përshkruara në raportin e fundit të Komisionit Evropian për zgjerimin është vendimtar,” tha Pisonero në një konferencë shtypi në Bruksel.

Ajo shtoi se, për këtë qëllim, BE vazhdon të mbështesë Malin e Zi në rrugën e tij evropiane.

“Për ne, stabiliteti politik është kyç për të ecur përpara në rrugën drejt BE-së, një proces që përfiton si Malin e Zi ashtu edhe Evropën në tërësi,” tha Pisonero.

Ajo konfirmoi se pret që së shpejti në Bruksel të organizohen takimet e para të nivelit të lartë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe presidentit të sapozgjedhur të Malit të Zi Jakov Millatoviq.

SHARE