Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, u pajtuan që të gjitha përpjekjet duhet të përqendrohen në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, u tha në njoftimin e lëshuar nga Presidenca serbe, pas takimit midis Vuçiqit dhe Hillit më 23 maj. “Bisedimet janë e vetmja rrugë për të zgjidhur çështjet e hapura, si dhe për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme”, u tha në njoftimin e Presidencës serbe. Sipas njoftimit, ambasadori Hill theksoi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë angazhimin me partnerët e BE-së në drejtim të vazhdimit të dialogut, që do të sjellë rezultate konkrete. Ai po ashtu përsëriti mbështetjen e SHBA-së për integrimin evropian të Serbisë dhe shteteve të tjera të rajonit dhe pozicionin e Uashingtonit se BE-ja duhet të zgjerohet.