Foto: Infoshqip
Një tërmet prej 6.2 ballësh ka goditur Detin Marmara, afër Stambollit, teksa dridhjet e tokës janë ndier në mbarë qytetin.
Ende nuk ka raportime për të lënduar apo dëme, por zyrtarët nga agjencia për menaxhimin e fatkeqësive në Turqi, AFAD, thanë se tërmeti i fuqishëm u pasua me tetë tërmete të tjera.
“Një tërmet prej 6.2 ballësh ka goditur në Silivri, Deti i Marmarasë në Stamboll”, shkroi në X ministri i Brendshëm, Ali Yerlikaya, i cili shtoi se dridhjet e tokës u ndien edhe në provincat përreth.
Tërmeti i parë ndodhi në orën 12:49, sipas kohës lokale, me epiqendrën në thellësi prej 6.92 kilometrash nën det. Epiqendra e tërmetit gjendet në jug të qytetit të Stambollit, tha AFAD.
Tërmeti u pasua nga tetë pasgoditje me shkallë të ndryshme, duke u nisur nga 3.5 deri në 5.9 shkallë të Rihterit.
Si pasojë e dridhjeve të tokës, rrugët e Stambollit – qytetit më të madh në Turqi – u mbushën me njerëz që dolën nga ndërtesat.
Pamjet e publikuara nga agjencia shtetërore e lajmeve, Anadolu shfaqën minaren e një xhamie në Stamboll duke u lëkundur gjatë tërmetit të parë. Por, nuk ka raportime se ndonjë ndërtesë është shembur në Stambollin e banuar me 16 milionë banorë.
Pas tërmetit, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tha se “po vëzhgoj nga afër zhvillimet”.
Tërmeti i fundit që goditi Stambollin ishte në nëntorin e kaluar, kur dridhjet e tokës shkaktuan panik në mesin e banorëve, por nuk u raportua për dëme apo viktima.
Sizmologët turq dhe të huaj pajtohen se Stambolli ka shumë gjasa që të goditet nga tërmetet e fuqishme në dekadat e ardhshme, për shkak se gjendet më pak se 20 kilometra nga pllaka tektonike e Anadollisë së Veriut.
Afër 20.000 persona u vranë, pasi më 1999 brenda tre muaj pjesa veriperëndimore e Turqisë – përfshirë disa pjesë të Stambollit – u godit nga dy tërmete masive. Gjatë këtyre tërmeteve, pjesa lindore e pllakës tektonike të Anadollisë së Veriut u ça.