Foto: Erkin Keçi/AA
Deputetët e rinj të Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Kosovës të cilët u betuan javën e kaluar, nuk arritën sërish që në shumicë të votojnë kryetarin e ri të institucionit ligjvënës, raporton Anadolu.
Në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, ku të pranishëm ishin 117 deputetë, deputeti Glauk Konjufca tha se partia më e madhe, Lëvizja Vetëvendosje, përsëri e kandidon Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit.
Konjufca luti deputetët që ta japin votën pro Haxhiut për kryeparlamentare dhe të zhbllokohet rruga për krijimin e institucioneve të reja.
Gjithsej 57 deputetë votuan pro Haxhiut për kryeparlementare, 46 kundër dhe tre abstenuan.
Seanca e re u shty për 48 orë, për të premten në orën 10:00.
Pas anulimit të seancës, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për bllokimin e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve, duke e akuzuar këtë subjekt se po e mban peng shtetin për shkak të insistimit në një kandidat të vetëm për kryeparlamentar.
Krasniqi tha se nga zgjedhjet e 9 shkurtit kanë kaluar 72 ditë dhe 27 ditë nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve, “por ende nuk kemi institucione të themeluara”.
“Kjo s’i ka ndodhur kurrë më parë Republikës së Kosovës”, deklaroi Krasniqi.
Ai theksoi se është përgjegjësi e VV-së që të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, por, sipas tij, nuk mund të imponohet emri te deputetët e opozitës.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami tha se LDK-ja nuk do ta votojë asnjë kandidat të Vetëvendosjes që propozohet për kryetar të Kuvendit.
Bajrami tha se LDK-ja nuk është e gatshme për marrëveshje politike, derisa akuzoi LVV-në se po i mban peng institucionet. “Një grup i juristëve të LDK-së tashmë është në proces të finalizimit të kallëzimit penal. Besoj shumë shpejt, nesër, do ta dorëzojmë”, tha Bajrami.
Ajo deklaroi se përgjegjësia për zhbllokimin është te Lëvizja Vetëvendosje, si parti fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj tha se kandidatura e Albulena Haxhiut të Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentare është jounifikuese.