Dëshironi ta skalitni trupin? Hani tri vezë pas stërvitjeve

Çfarë hani pas ushtrimeve fizike mund të jetë gjë po aq e rëndësishme sa puna që e kryeni në palestër

Megjithatë, shejku juaj i rregullt që e përdorni pas stërvitjeve mund të mos jetë duke iu bërë ndonjë të mirë muskujve tuaj.

Marrja e proteinës dhe nutrientëve tjerë nga ushqimet natyrale mund të jetë më efektive në rritjen e muskujve sesa vetëm konsumimi i proteinës, thotë një hulumtim i ri i publikuar në revistën ‘American Journal of Clinical Nutrition’.

Në studimin e tyre, hulumtuesit i kishin pasur 10 meshkuj të ri e të shëndetshëm të cilët kishin ushtruar rregullisht dhe që kishin marrë pjesë në dy eksperimente të ndryshme, transmeton Telegrafi.

Në njërin eksperiment, ata kishin ngrënë tri vezë të plota, që gjithsej përmbajnë 18g proteinë dhe 17g yndyrë, brenda pesë minutave pas ushtrimeve të këmbëve.

Në eksperimentin tjetër, ata e kishin konsumuar sasinë ekuivalente të proteinës nga të bardhët e vezës, pra me zero yndyrë.

Pastaj, hulumtuesit ua kishin bërë biopsinë e muskujve dy orë dhe pesë orë më vonë për të matur shpejtësinë me të cilën fibrat e proteinave e kishin riparuar veten pas stërvitjeve.

Kështu, shkencëtarët zbuluan se konsumimi i plotë i vezëve (të bardhët dhe të verdhët) kishte nxitur një riparim më të shpejtë të muskujve sesa vetëm konsumimi i të bardhëve të vezës.

Dhe, siç thonë autorët e studimit, kjo gjë është kyçe për procesin e ndërtimit të muskujve. /Telegrafi/

SHARE