Foto: Ilustrim
Në një situatë globale gjithnjë e më të paqëndrueshme dhe me konflikte pranë Evropës, analistët e Këshillit Gjerman për Marrëdhënie me Jashtë vlerësojnë se ekziston një mundësi reale për zgjerimin e Bashkimit Evropian, ku Mali i Zi renditet si kandidati më i avancuar në Ballkanin Perëndimor.
Sipas raportit, Mali i Zi ka mbyllur pothuajse gjysmën e kapitujve negociues dhe në dhjetor 2025 vendet anëtare të BE-së propozuan nisjen e hartimit të traktatit të anëtarësimit.
Ky hap konsiderohet i rëndësishëm, por përfundimi i procesit do të varet nga aftësia e vendit për të arritur fazën finale të negociatave teknike dhe për të përmbushur standardet, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit.
Gjermania e sheh Malin e Zi si një histori të mundshme suksesi dhe një shtysë për zgjerimin e mëtejshëm në rajon, ndërsa ka mbështetur rritjen e profilit të tij politik në Evropë.
Nga ana tjetër, vende si Holanda dhe Franca mbajnë një qasje më të kujdesshme, duke insistuar në respektimin strikt të kushteve dhe duke theksuar se anëtarësimi duhet të bazohet në merita.
Raporti thekson se zgjerimi i BE-së mund të shërbejë si instrument për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon, por gjithashtu nënvizon se vendimet përfundimtare dhe afatet kohore mbeten në dorën e shteteve anëtare, të cilat duhet të balancojnë prioritetet e brendshme dhe mbështetjen politike për zgjerimin.










