RRITEN ÇMIMET E KARBURANTEVE NË MAL TË ZI, HYJNË NË FUQI NGA 24 MARSI

Foto: Shutterstock

Të gjitha llojet e karburanteve në Mal të Zi do të shtrenjtohen duke filluar nga mesnata. Sipas Ministrisë së Energjisë dhe Minierave, çmimi i Eurosuper 98 do të arrijë në 1,56 euro (+0,06), Eurosuper 95 në 1,52 euro (+0,05), Eurodizeli në 1,57 euro (+0,07), ndërsa vaji për ngrohje në 1,72 euro (+0,30).  

Për të zbutur ndikimin e rritjes së çmimeve si pasojë e luhatjeve në tregun ndërkombëtar të naftës, Qeveria ka miratuar një vendim për uljen e përkohshme të akcizave.

Sipas këtij vendimi, akciza për naftën ulet me 50%, ndërsa për benzinën me 25%.

Kjo masë zbatohet vetëm për karburantet që përdoren për automjete, ndërsa karburantet për ngrohje nuk përfshihen, pasi për to ekziston një skemë e rimbursimit të akcizës.

Njëkohësisht, është miratuar edhe një rregullore e re për përcaktimin e çmimeve maksimale të derivateve të naftës, me të cilën periudha e përllogaritjes është shkurtuar nga 14 në 7 ditë. Kjo do të mundësojë përshtatje më të shpejtë të çmimeve me zhvillimet në treg. Llogaritja e re do të bëhet çdo të hënë, ndërsa rishikimi i ardhshëm pritet më 30 mars, me çmime të reja që mund të hyjnë në fuqi nga 31 marsi.

SHARE