Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Lideri i Forumit Shqiptar, Nik Gjeloshaj, ka deklaruar se është krejtësisht e pasaktë të thuhet se modeli aktual i ligjit zgjedhor favorizon komunitetet pakicë.
“Përkundrazi, vlen të rikujtojmë se heqja e mandateve të garantuara për shqiptarët në vitin 2011 u dakordua nga PDS dhe Partia Popullore Socialiste, pas dyerve të mbyllura, pavarësisht kundërshtimit të qartë të përfaqësuesve politikë shqiptarë”, ka thënë Gjeloshaj, duke reaguar ndaj deklaratës së deputetit të Partisë Demokratike të Socialistëve, Nikola Rakoçeviq.
Ai ka shtuar se pasojat e këtij modeli janë të dukshme në praktikë.
„Në zgjedhjet e vitit 2012, për një mandat të partive shqiptare nevojiteshin rreth 6,000 vota, ndërsa për partitë e tjera mjaftonin rreth 4,000 vota. Një shembull edhe më i qartë është regjistruar në vitin 2016, kur për një mandat të partive shqiptare nevojiteshin rreth 9,000 vota, krahasuar me rreth 3,800 për të tjerët,“ shtoi Gjeloshaj.
Ai thotë se ky nuk është afirmim i të drejtave të pakicave, përkundrazi: „Bëhet fjalë për një padrejtësi sistemike që duhet të korrigjohet. Nuk ka logjikë që një masë që në thelb prodhon diskriminim të prezantohet si afirmative.”
Gjeloshaj ka kritikuar përpjekjet e “gjeneratave më të reja të PDS-së” për të paraqitur praktikën ndryshe, duke theksuar se kjo nuk ndihmon në zgjidhjen e problemit, përkundrazi e thellon atë.
“Mësimi nga gabimet është gjithmonë më produktiv se insistimi mbi politika për të cilat të gjithë e dimë se si kanë përfunduar. Zëri autokton shqiptar do të vazhdojë të dëgjohet qartë dhe fuqishëm në Kuvendin e Malit të Zi, pavarësisht kundërshtimeve disa dekadëshe”, ka theksuar Gjeloshaj.
Ai ka shtuar se ky zë duhet të forcohet përmes një reforme të drejtë zgjedhore, e cila do të sigurojë përfaqësim adekuat dhe të drejtë për komunitetin shqiptar përmes mandateve të garantuara.
“Në fund, dua ti rikujtoj kolegut Rakoçeviq se si duket afirmimi: dje përfunduan zgjedhjet parlamentare në Slloveni, anëtare e BE-së. Minoriteti italian dhe ai hungarez, edhe pse përbëjnë vetëm 0.1% dhe 0.3% të popullsisë, kanë mandate të garantuara në Parlament. Ky është standard evropian dhe veprim afirmativ”, ka deklaruar Gjeloshaj.











