ABAZOVIQ, PRITI NË TAKIM KREUN E LDSH-së CAMAJ DHE KRYETARIN E KUVENDIT KOMUNAL TË GUCISË HASANGJEKAJ

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, priti në takim kryetarin e Lidhjes Demokratike Shqiptare, Nikollë Camaj si dhe kryetarin e Kuvendit të Komunës së Gucisë, Bujar Hasangjekaj. Abazoviq vuri në dukje nevojën për pjesëmarrje më të madhe të popujve të pakicave në administratën publike. Gjatë bisedimeve me Camaj dhe Hasangjekaj, Abazoviq duke iu referuar rëndësisë së popujve pakicë në Mal të Zi, shprehu dëshirën për bashkëpunim më të fortë midis qeverisë së Malit të Zi dhe atyre. Sipas njoftimit të Qeverisë, zëvendëskryeministri Abazoviq me bashkëbiseduesit e tij bisedoi edhe për gjendjen në komunën e Tuzit dhe Gucisë dhe mundësitë e zhvillimit të tyre të mëtejshëm. “Bashkëbiseduesit ranë dakord që përfundimi i rindërtimit të rrugës Dinoshë-Grabom dhe hapja e një kalimi të ri kufitar me Shqipërinë do të përmirësojë shumë lidhjen midis Podgoricës, Tuzit dhe Gucisë, si dhe do të zvogëlojë distancën midis këtyre komunave në vetëm 70 km. Abazoviq, Camaj dhe Hasangjekaj ranë dakord që përfundimi i asaj pjese të rrugës do të sjellë lidhje shumë më të mira midis kryeqytetit dhe rajonit Plavë-Guci, si dhe mundësi të konsiderueshme për zhvillimin e turizmit në ato komuna në veri të Malit të Zi,” thuhet në deklaratë. Po ashtu u diskutua për problemin e ndarjes së Tuzit me Podgoricën, për punësimet në organet shtetërore, dhe funksionimin e nderrmarrjeve të rëndësishme private, të cilat mbeten peng e raporteve politike nga e kaluara. Bashkëbiseduesit ranë dakord që të gjithë zyrtarët publikë në këtë kohë duhet të japin kontributin maksimal për të ulur tensionet në shoqëri dhe për të promovuar një shtet multietnik, multi-konfesional dhe civil, i cili duhet të jetë garantuesi i paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

SHARE