Ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Srgjan Darmanoviq, gjatë vizitës së tij në Washington i dorëzoi dekoratat ish-nënpresidentit amerikan Xhozef Bajden, senatorit Xhon Mekejn dhe kongresistit Majk Tarner.
Lidhur me këtë shefi i diplomacisë malazeze Srgjan Darmanoviq, theksoi se ceremonia e dhënies së këtyre çmimeve ishte mundësi për Malin e Zi, që ti tregoi Shteteve të Bashkuara të Amerikës se ai e kujton dhe e respekton kontributin të cilin e kanë dhënë tre zyrtarët amerikan gjatë pozitave të tyre më të larta në SHBA, e të cilët kontribouan që Mali i Zi të bëhet anëtare e NATO-s.
“Pa miqtë nga një vend kaq i madh dhe njëri nder vendet udhëheqëse të NATO-s, Mali i Zi nuk kishte pas mundësi ta arrijnë këtë.
Prandaj në emër të marrëdhënieve tona dhe marrëdhënieve aleate, ne e konsideruam se e kemi borxh dhe obligim ti tregojmë këto fakte dhe në një mënyrë ta valorizojmë këto”, tha Darmanoviq.
Pas dorëzimit të dekoratave, Bajden tha se ai ishte i nderuar që mori dekoratën Malazeze, i cili njëkohësisht përkujtoi se për Ballkanin ishte i interesuar që kur ishte senator.
Ai tha se pa integrimin e plotë të Evropës Juglindore nuk do të ketë siguri të plotë as të Evropës e as të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ai theksoi se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO kishte nevojë për kurajo të jashtëzakonshme fizike dhe morale, si dhe vendosmëri dhe angazhim jo vetëm të liderëve, por edhe të qytetarëve.
Dekorata e flamurit të Malit të Zi, i është ndarë edhe senatorit Mekejn,i cili për shkak të sëmundjes, nuk ka mundur të marrë pjesë në këtë ceremoni si dhe kongresmenit Majk Tarner, i cili ka dhënë kontribut të madh në anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.
Tarner tha se anëtarësimi i Malit të Zi, është i rëndësishëm, jo vetëm sepse është një vend strategjik i rëndësishëm dhe aleat i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por sepse Mali i Zi është simbol i politikës së dyerve të hapura të NATO-s.