PËR HERË TË PARË NË BEOGRAD SHËNOHET PËRVJETORI I PAVARËSISË SË KOSOVËS

Për herë të parë në Republikën e Serbisë që nga hapja e Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, është shënuar përvjetori i pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Me ftesë të ambasadorit Jetish Jashari, në 15-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, përveç përfaqësuesve institucionalë e politikë të Luginës së Preshevës, prezentë ishin edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile në Beograd, si dhe përfaqësues të misioneve diplomatike ndërkombëtare.

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka publikuar disa fotografi në rrjetet sociale, ku në prapavijë me flamurin shtetëror të Kosovës është shënuar përvjetori i pesëmbëdhjetë i pavarësisë së Kosovës.

“Kjo është hera e parë që nga hapja e Zyrës Ndërlidhëse që shënohet Dita e Pavarësisë së Kosovës në Beograd”, ka shkruar deputeti Kamberi.

Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi është themeluar me Marrëveshjen e Brukselit, e arritur në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, më 31 maj 2013.

Përgjegjësi parësore e Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi është përcjellja e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, shikuar nga perspektiva e Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe adresimi i të gjitha problemeve që mund të paraqiten në baza ditore, përfshirë edhe ato me të cilat ballafaqohen shtetasit e Republikës së Kosovës me qëndrim në Serbi apo gjatë kalimit tranzit nëpër territorin e Serbisë.

Selia e Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi është në objektin e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, në Beograd.

SHARE