BRUKSELI MBËSHTET NJË ZGJIDHJE TË NEGOCIUAR ME NATO-n

Udhëheqësit e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian u mblodhën mbrëmjen e të enjtes  në Bruksel në një një samit urgjent, i thirrur pas kërcënimeve të presidentit amerikan, Donald Trump, për vendosjen e tarifave ndaj disa vendeve të kontinentit.

Takimi u zhvillua edhe pse Trump dy ditë më parë hoqi dorë nga vendosja e tarifave, pasi në Davos u arrit një pajtim për kornizën e marrëveshjes për Groenlandën gjatë diskutimit me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

Në një konferencë për shtyp presidenti i Këshillit Evropian përsëriti mbështetjen e plotë të unionit për Danimarkën dhe Groenlandën.

“Ne besojmë se marrëdhëniet midis partnerëve dhe aleatëve duhet të menaxhohen në një mënyrë të përzemërt dhe me respekt. Evropa dhe Shtetet e Bashkuara kanë një interes të përbashkët në sigurinë e rajonit të Arktikut, veçanërisht duke punuar përmes NATO-s. Bashkimi Evropian do të luajë gjithashtu një rol më të fortë në këtë rajon”, tha Antonio Costa.

Ai vlerësoi vendimin e Uashingtonit  për t’u tërhequr nga tarifat, duke nënvizuar se ato do të kishin qenë të papajtueshme me marrëveshjen tregtare BE-SHBA.

“Njoftimi  se nuk do të ketë tarifa të reja nga Shtetet e Bashkuara ndaj Evropës është pozitiv. Vendosja e tarifave shtesë do të kishte qenë e papajtueshme me marrëveshjen tregtare midis Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara. Fokusi ynë tani duhet të jetë në ecjen përpara të zbatimit të asaj marrëveshjeje”, tha Costa.

Costa ngriti  shqetesimin edhe për Bordin e Paqes, një organ që synon të ndihmojë në zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare duke filluar me Rripin e Gazës.

“Kemi dyshime serioze në lidhje me një numër elementësh në kartën e Bordit të Paqes që lidhen me fushëveprimin e tij, qeverisjen e tij dhe përputhshmërinë e tij me Kartën e OKB-së. Ne jemi të gatshëm të punojmë së bashku me SHBA-në për zbatimin e Planit gjithëpërfshirës të Paqes për Gazën, me një Bord të Paqes që kryen misionin e tij si një administratë kalimtare, në përputhje me Rezolutën 2803 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, tha Costa.

Duke riafirmuar se po punojnë për të forcuar marrëdhëniet me Groenlandën, presidentja e komisionit, Ursula von der Leyen vuri në dukje se unioni do të paraqesë një “paketë të konsiderueshme investimesh”.

“Përtej investimeve, ne gjithashtu synojmë të thellojmë bashkëpunimin me SHBA-në dhe të gjithë partnerët për sigurinë në Arktik. Në veçanti, besoj se duhet ta përdorim rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes për pajisje të gatshme për Arktikun”, tha Ursula von der Leyen.

Von der Leyen u ndal dhe tek Ukraina ndërsa ka theksuar se unioni po dyfishon  mbështetjen për të.

SHARE