Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Mos miratimi i buxhetit të shtetit do të thotë mos miratim i Agrobuxhetit dhe pasoja të mëdha për prodhuesit bujqësorë tha ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave, Vlladimir Jokoviq.
Këtë deklaratë ai e bëri në një konferencë për media me rastin e prezantimit të rezultateve të programit IPARD II.
“Mos miratimi i buxhetit të shtetit nënkupton edhe mos miratimin e Agrobuxhetit. Mos miratimi i Agrobuxhetit do të kishte pasoja të mëdha për prodhuesit bujqësorë, sepse ne nuk mundemi dhe nuk do të mund të krijonim në kohë të gjitha masat që janë të rëndësishme kur bëhet fjalë për stimulimin e prodhimit bujqësor. Do të vihej në pikëpyetje pagesa e përfitimit të pleqërisë që kemi për këto familje, të cilat kanë kaluar jetën në zonat rurale dhe nuk kanë të ardhura të tjera për 3.580 prej tyre. Në këtë proces, bujqësia fillon tani, kur përgatitet toka për mbjellje, kur sigurohet fara dhe mbjellja bëhet në shkurt në Tuz dhe Zetë. Besoj se arsyeja do të mbizotërojë dhe të gjithë do ta kuptojnë se çfarë probleme do të kishte Mali i Zi me mos miratim të buxhetit, jam i bindur se do të miratohet”, tha Jokoviq, duke shtuar se beson se kjo do të ndodhë në janar.
Jokoviq theksoi se programi IPARD II është shfrytëzuar për 90 për qind, që do të thotë se nga 39 milionë euro janë marrë 37.7 milionë, përmes gjithsej 748 projekteve.
Ai shtoi se kjo mbështetje ka kontribuar që prodhuesit vendas të mund të konkurrojnë me ata të BE-së, dhe se Mali i Zi e justifikoi besimin, kështu që në vitin 2022 u miratua programi IPARD III, përmes të cilit janë në dispozicion 63 milionë euro nga BE-ja dhe një shtesë prej 19 milionë euro nga Qeveria.