Foto: Komuna e Tuzit/Facebook/
Kryetari i komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj me bashkëpuntorët e tij vizituan sot shkollën fillore “Mahmut Lekiq” në Tuz, ku po implementohet projekti NERA.
Ky projekt përfaqëson një iniciativë të rëndësishme për edukimin mjedisor, ndërgjegjësimin për ruajtjen e natyrës dhe ndarjen e mbetjeve.
Gjatë vizitës, përmes prezantimeve të realizuara nga nxënësit, kryetari Gjelaj u njoh nga afër me aktivitetet që po zhvillohen në shkollë, si dhe me planet dhe projektet mjedisore që ajo synon të zbatojë.
Gjelaj shprehu vlerësim të lartë për përkushtimin e nxënësve dhe mësimdhënësve në promovimin e kulturës së kujdesit për mjedisin, duke integruar praktika ekologjike në jetën e përditshme të fëmijëve.
Ai gjithashtu rikonfirmoi mbështetjen e tij të plotë për iniciativa të tilla të vlefshme të ndërmarra nga institucionet arsimore.
Siç njoftojnë nga komuna e Tuzit, në përfundim të vizitës, nxënësit patën mundësinë të shtrojnë pyetje për kryetarin dhe për të gjithë të pranishmit, duke zhvilluar kështu një dialog të hapur dhe frymëzues.