KRIZA E AJRIT TË NDOTUR NË BALLKAN / KËRCËNON SHËNDETIN DHE ASPIRATËN PËR ANËTARËSIM NË BE

Foto: Tayfun Coskun/AA/picture alliance

Ndërsa pjesa më e madhe e botës po punon për të reduktuar përdorimin e lëndëve djegëse fosile, ndotja në vendet e Ballkanit Perëndimor mbetet kokëfortësisht e lartë për shkak të ngrohjes së shtëpive, impianteve të vjetëruara të qymyrit, makinave të vjetra dhe mungesës së parave për të trajtuar problemin.

Qytetet relativisht të vogla, si kryeqyteti i Serbisë, Beogradi dhe kryeqyteti i Bosnjës, Sarajeva, shpesh kanë kryesuar listat e ndotjes globale, sipas faqeve të internetit që monitorojnë cilësinë e ajrit në mbarë botën.

Kjo ka ndikime të kushtueshme shëndetësore dhe gjithashtu mund të rrezikojë perspektivat e vendeve të tilla për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, i cili ka standarde më të rrepta për emetimet.

“Nuk ka burime në rajon për reduktimin e ndotjes së ajrit,” thotë Mirko Popoviq, drejtor i Institutit Rregullator të Energjisë së Rinovueshme dhe Mjedisit në Beograd.

Në BE, emetimet neto të gazrave që shkaktojnë efektin serrë kanë rënë me rreth 40% që nga viti 1990, të nxitura nga përqafimi i energjisë së rinovueshme, tha një raport i Komisionit Evropian në nëntor.

Vendet e Ballkanit Perëndimor ndërkohë kanë premtuar se do të reduktojnë emetimet e karbonit, por vështirësitë ekonomike kanë ngadalësuar progresin.

Kosova, një nga vendet më të varfra të Evropës, gjeneron më shumë se 90% të energjisë së saj nga qymyri.

Banka Botërore vlerëson se një kalim në një ekonomi pa qymyr do t’i kushtojë Kosovës 4.5 miliardë euro. Pasojat e ajrit të ndotur janë të dukshme në rajon, vecanërisht në dimër.

Smogu ka mbuluar Beogradin këtë javë e po ashtu edhe Sarajevën, që ndodhet në një lugine mes malesh, si në një kurth.

Të martën, cilësia e ajrit në kryqytetin boshnjak klasifikohej si më e rrezikshmja në botë.

Ndërsa në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup, banorët mbajnë shpesh maska dhe ndodh që edhe të mos munden t’i shohin malet e afërta, të mbuluara me borë, për ditë të tëra.

Shkalla e vdekjeve që i atribuohet ndotjes së ambientit është po ashtu relativisht e lartë, 114 për 100,000 njerëz në Bosnje dhe rreth 100 për 100 mijë banorë në Serbi dhe Mal të Zi.

Sa për krahasim, këto shifra janë respektivisht 45 dher 29 për 100 mijë në Gjermani dhe Francë.

SHARE