PRESIDENTJA OSMANI PRITET NË SELINË E SHENJTË NGA PAPA FRANÇESKU

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur në audiencë private në Selinë e Shenjtë nga Papa Françesku, njoftoi zyra e saj më 23 janar. Sipas njoftimit, Osmani i tha Papës se synimi i Kosovës është njohja nga Vatikani. “Njohja e Kosovës nga Selia e Shenjtë ndikon në fuqizimin e mëtejmë të shtetësisë sonë dhe për integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike. Synimi i Kosovës për njohje nga Vatikani kontribuon në thellimin dhe avancimin e mëtejmë të raporteve tona shekullore, si dhe në rrugën evropiane të vendit tonë”, tha ajo. Në njoftim thuhet se presidentja e falënderoi Papën për vendimin e tij të vitit 2018 për ta ngritur Administratën Apostolike të Kosovës në nivel të Dioqezës. Në takim u bisedua gjithashtu për raportet ndërmjet dy vendeve dhe “kujdesin të cilin Vatikani e ka treguar ndaj popullit tonë, duke njohur vlerat qytetëruese të tij, të cilat bota i ka parë të mishëruara në personalitetin e Nënë Terezës”. Presidentja Osmani do të pritet sot edhe nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Parolin. Gjatë qëndrimit në Romë, sipas njoftimit, ajo do të pritet edhe nga presidenti italian, Sergio Mattarella.

SHARE