Foto: Komuna e Tuzit
Sot u mbajt seanca e XV e Kuvendit të Komunës së Tuzit. Në fillim të seancës, nënkryetari i Kuvendit Fadil Kajoshaj njoftoi se, përveç drejtorëve të rinj të emëruar, Albian Sinishtaj dhe Besa Nikaj, në seancë janë të pranishëm edhe këshilltarët e rinj, Lek Lucgjonaj dhe Lucë Junçaj. Pas hapjes së seancës dhe verifikimit të pjesëmarrjes së këshilltarëve, u kalua në shqyrtimin e rendit të ditës, i cili permbajti 22 pika. Këshilltarët u deklaruan pro me 18 vota dhe rendi i ditës u miratua.
Më pas, Kuvendi filloi shqyrtimin e pikës së parë të rendit të ditës:
Pika 1 – Propozim Vendimi mbi Buxhetin e Komunës së Tuzit për vitin 2026
Në lidhje me këtë pikë, fjalën e mori sekretari i Sekretariatit për Financa, Driton Gjokaj, i cili paraqiti strukturën, prioritetet dhe synimet kryesore të buxhetit të Komunës së Tuzit për vitin 2026. Ai theksoi se totali i të ardhurave dhe shpenzimeve të planifikuara për vitin 2026 arrin në 12.895.072 euro, duke e bërë këtë buxhetin më të madh që ka pasur ndonjëherë Komuna e Tuzit, me fokus të veçantë në zhvillimin lokal, përmirësimin e shërbimeve publike dhe realizimin e projekteve kapitale me rëndësi për qytetarët. Kjo pike u miratua me 19 vota pro.
Pika 2 – Propozim Vendimi mbi përcaktimin e interesit publik për shpronësimin e plotë të pasurisë së paluajtshme në Komunën Kadastrale Tuz, për nevojat e ndërtimit të Urës së Zharnicës mbi Lumin Cem, në trasenë e rrugës rajonale Podgoricë-Tuz
Në kuadër të kësaj pike, materialin e prezantoi përfaqësuesja e propozuesit të Vendimit, Elvisa Rexhematoviq, sekretare e Sekretariatit për Pronë, e cila sqaroi bazën ligjore dhe qëllimin e propozim-vendimit për përcaktimin e interesit publik, në funksion të realizimit të projektit të ndërtimit të Urës së Zharnicës mbi Lumin Cem. Pas prezantimit dhe shqyrtimit të materialit, Propozim Vendimi u hodh në votim dhe u miratua me votat e të gjithë këshilltarëve të pranishëm.
Pika 3 – Propozim Vendimi mbi verifikimin e Vendimit mbi dhënien e pëlqimit në Vendimin e Bordit të drejtorëve të SHPK “Komunale” Tuz, numër 1262/25, prej më 01.10.2025
Në kuadër të kësaj pike, materialin e prezantoi Kryetari i Komunës së Tuzit, i cili sqaroi se Vendimi ka të bëjë me dhënien e pëlqimit për emërimin e Albian Sinishtaj për ushtrues detyre të drejtorit ekzekutiv të SHPK “Komunale” Tuz.
Pika 4 – Propozim Vendimi mbi verifikimin e Vendimit mbi shkarkimin e anëtarëve të Bordit të drejtorëve të Shoqërisë me përgjegjësi të kufizuar “Tregu” Tuz
Në kuadër të kësaj pike, materialin e prezantoi Kryetari i Komunës së Tuzit, i cili sqaroi se Propozim Vendimi ka të bëjë me verifikimin e Vendimit mbi shkarkimin e anëtarëve të Bordit të drejtorëve të SHPK “ Tregu” Tuz, për shkak të skadimit të mandatit.
Pika 5 – Propozim Vendimi mbi verifikimin e Vendimit mbi emërimin e anëtarëve të Bordit të drejtorëve të Shoqërisë me përgjegjësi të kufizuar “Tregu” Tuz
Në kuadër të kësaj pike, u sqarua se Propozim Vendimi ka të bëjë me verifikimin e Vendimit mbi emërimin e anëtarëve të Bordit të drejtorëve të SHPK “Tregu” Tuz për një mandat katërvjeçar. Me këtë Vendim u verifikua emërimi i anëtarëve të Bordit të drejtorëve në përbërje: Luvigj Juncaj, Leon Juncaj, Arton Gojçaj, Shtjefën Gjonlekaj dhe Toma Gjonaj.
Pika 6 – Propozim Vendimi mbi verifikimin e Vendimit mbi përfundimin e funksionit të drejtorit ekzekutiv të Shoqërisë me përgjegjësi të kufizuar “ Tregu” Tuz
Në kuadër të kësaj pike, materialin e prezantoi Kryetari i Komunës së Tuzit, i cili sqaroi se Propozim Vendimi ka të bëjë me verifikimin e Vendimit mbi përfundimin e funksionit të drejtorit ekzekutiv të SHPK “ Tregu” Tuz. Me këtë Vendim u verifikua përfundimi i funksionit të drejtorit ekzekutiv Ruzhdi Lluka, për shkak të skadimit të afatit gjashtëmujor për të cilin kishte qenë i emëruar si ushtrues detyre.
Pika 7 – Propozim Vendimi mbi verifikimin e Vendimit mbi dhënien e pëlqimit në Vendimin e Bordit të drejtorëve të SHPK “Tregu” Tuz, numër 858/25, prej më 08.12.2025
Në kuadër të kësaj pike, Kuvendi shqyrtoi Propozim Vendimin mbi verifikimin e Vendimit për dhënien e pëlqimit në Vendimin e Bordit të drejtorëve të SHPK “Tregu” Tuz, i cili ka të bëjë me dhënien e pëlqimit për emërimin e Ruzhdi Lluka si ushtrues detyre të drejtorit ekzekutiv të kësaj shoqërie.
Pika 8 – Propozim Vendimi mbi verifikimin e Vendimit mbi shkarkimin e anëtarëve të Bordit të drejtorëve të SHPK “ Ujësjellësi dhe kanalizimi” Tuz
Në këtë pikë u shqyrtua Propozim Vendimi mbi verifikimin e Vendimit për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të drejtorëve të SHPK “Ujësjellësi dhe kanalizimi” Tuz, për shkak të skadimit të mandatit.
Pika 9 – Propozim Vendimi mbi verifikimin e Vendimit mbi emërimin e anëtarëve të Bordit të drejtorëve të SHPK “Ujësjellësi dhe kanalizimi” Tuz
Në këtë pikë u shqyrtua Propozim Vendimi mbi verifikimin e Vendimit për emërimin e anëtarëve të Bordit të drejtorëve të SHPK “Ujësjellësi dhe kanalizimi” Tuz. Me këtë vendim, për anëtarë të Bordit të drejtorëve emërohen: Pjetër Gojçaj, Lubo Ivanaj, Tonin Juncaj, Prela Pllumaj, Sulejman Beqaj. Mandati i anëtarëve të Bordit të drejtorëve zgjat katër (4) vjet, me mundësi riemërimi.
Pika 10 – Propozim Vendimi mbi verifikimin e Vendimit mbi dhënien e pëlqimit në Statutin e SHPK “Monumenti i Natyrës – Kanioni i Cemit” Tuz
Në këtë pikë u shqyrtua Propozim Vendimi mbi verifikimin e Vendimit për dhënien e pëlqimit në Statutin e SHPK “Monumenti i Natyrës – Kanioni i Cemit” Tuz. Me këtë vendim, Kuvendi i Komunës së Tuzit verifikoi Vendimin për dhënien e pëlqimit në Statutin e kësaj shoqërie, i cili ishte miratuar më herët nga organet kompetente. Pas shqyrtimit, Propozim Vendimi u hodh në votim dhe u miratua.
Pika 11 – Propozim Vendimi mbi verifikimin e Vendimit mbi dhënien e pëlqimit në Vendimin e Bordit të drejtorëve të SHPK “Monumenti i Natyrës – Kanioni i Cemit” Tuz
Në këtë pikë u shqyrtua Propozim Vendimi mbi verifikimin e Vendimit të Bordit të drejtorëve të SHPK “Monumenti i Natyrës – Kanioni i Cemit” Tuz, që ka të bëjë me caktimin e ushtruesit të detyrës së drejtorit ekzekutiv. Me këtë vendim, Adnan Dreshaj është caktuar ushtrues detyre i drejtorit ekzekutiv të kësaj shoqërie, për një periudhë të përkohshme, në përputhje me aktet ligjore në fuqi. Propozim Vendimi u hodh në votim dhe u miratua nga Kuvendi.
Pika 12 – Propozim Vendimi mbi verifikimin e Vendimit mbi dhënien e pëlqimit në Vendimin e Këshillit të IP QKI “Malësia” Tuz
Në këtë pikë u shqyrtua Propozim Vendimi mbi verifikimin e Vendimit të Këshillit të Institucionit Publik Qendra Kulturore-Informative (QKI) “Malësia” Tuz, që ka të bëjë me caktimin e ushtrueses së detyrës së drejtoreshës së institucionit. Me këtë vendim, Besa Nikaj, profesoreshë e arsimit fillor, është caktuar ushtruese e detyrës së drejtoreshës së IP QKI “Malësia” Tuz, për një periudhë të përkohshme, deri në përfundimin e procedurave ligjore për emërimin e drejtorit me mandat të plotë.
Pika 13 – Propozim Vendimi për dhënien e pëlqimit në Programin e punës së Institucionit Publik Qendra Kulturore-Informative “Malësia” për vitin 2026
Në këtë pikë u shqyrtua Propozim Vendim, nga Besa Nikaj, për dhënien e pëlqimit në Programin e punës së Institucionit Publik Qendra Kulturore-Informative “Malësia” për vitin 2026. Gjatë prezantimit u theksua se programi për vitin 2026 parasheh vazhdimin dhe zhvillimin e aktiviteteve kulturore, artistike dhe informuese, me fokus në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, si dhe në përfshirjen e komunitetit, veçanërisht të të rinjve.Shuma e përgjithshme e planifikuar për realizimin e Programit të punës së IP QKI “Malësia” për vitin 2026 është 436.302 euro.
Pika 14 – Propozim mbi Programin e punës së Kuvendit të Komunës së Tuzit për vitin 2026
Kuvendi i Komunës së Tuzit ka shqyrtuar Propozim-programin e punës së Kuvendit për vitin 2026, i cili përcakton planifikimin vjetor të aktiviteteve, prioritetet dhe çështjet normative, tematike dhe zhvillimore që do të trajtohen gjatë vitit të ardhshëm, në funksion të interesit publik dhe zhvillimit të komunës.
Pika 15 – Propozim Vendimi për dhënien e pëlqimit në Programin e punës dhe planin financiar të KF “Deçiç” për vitin 2026
Në këtë pikë të rendit të ditës u shqyrtua Propozim Vendimi për dhënien e pëlqimit në Programin e punës dhe planin financiar të Klubit Futbollistik “Deçiq” për vitin 2026. Materiali u prezantua nga drejtori i KF, Pal Dreshaj, i cili para anëtarëve të Kuvendit bëri një pasqyrim të rezultateve sportive dhe organizative të klubit, duke theksuar se sezoni i fundit ka qenë ndër më të suksesshmit në historinë e klubit. Si suksese kryesore u përmendën: fitimi i trofeut të Kupës, shënimi i një kapitulli historik me pjesëmarrjen në garat evropiane, si dhe fakti që KF “Deçiq” është kualifikuar në gjysmëfinale të Kupës së Malit të Zi për herë të gjashtë radhazi, duke mbetur në garë për trofeun e dytë dhe titullin e kampionit. Gjithashtu u theksua se viti 2026 ka një rëndësi të veçantë për klubin, pasi përkon me jubileun e 100-vjetorit të themelimit të KF , çka e bën këtë program pune dhe plan financiar veçanërisht të rëndësishëm për zhvillimin e mëtejshëm të klubit dhe për promovimin e sportit në Komunën e Tuzit.
Pika 16 – Propozim Vendimi mbi dhënien e pëlqimit në Programin vjetor për kryerjen e veprimtarive komunale të Shoqërisë me përgjegjësi të kufizuar “ Tregu” Tuz për vitin 2026
Në këtë pikë u shqyrtua Propozim Vendimi për dhënien e pëlqimit në Programin vjetor të punës së SHPK “ Tregu” Tuz për vitin 2026, i cili u prezantua nga Ruzhdi Lluka.
Pika 17 – Propozim Vendimi mbi dhënien e pëlqimit në Programin vjetor për kryerjen e veprimtarive komunale të Shoqërisë me përgjegjësi të kufizuar “Komunale” Tuz për vitin 2026
Në këtë pikë u shqyrtua Propozim Vendimi mbi dhënien e pëlqimit në Programin vjetor për kryerjen e veprimtarive komunale të SHPK “Komunale” Tuz për vitin 2026. Programi për vitin 2026 parasheh vazhdimin e shërbimeve komunale me rëndësi të veçantë për qytetarët e Komunës së Tuzit, duke përfshirë mirëmbajtjen e hapësirave publike, shërbimet e pastrimit, si dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve komunale në tërësi.
Pika 18 – Propozim Vendimi për përcaktimin e çmimit të shërbimeve për menaxhimin e mbeturinave komunale nga SHPK “Komunale” Tuz
Në këtë pikë u shqyrtua Propozim Vendimi për përcaktimin e çmimit të shërbimeve për menaxhimin e mbeturinave komunale, i cili u prezantua nga Albian Sinishtaj. U sqarua se sipas propozimit të ri, diferenca në çmim për shërbimin e menaxhimit të mbeturinave do të jetë 2,56 euro pa TVSH, respektivisht 2,74 euro me TVSH, krahasuar me tarifën aktuale.
Pika 19 – Propozim Vendimi mbi dhënien e pëlqimit në Programin e punës së Shoqërisë me përgjegjësi të kufizuar “Ujësjellësi dhe kanalizimi” Tuz për vitin 2026
Në këtë pikë të rendit të ditës u shqyrtua nga Ilir Camaj, Propozim Vendimi mbi dhënien e pëlqimit në Programin e punës së SHPK “ Ujësjellësi dhe kanalizimi” Tuz për vitin 2026, ku u prezantuan aktivitetet dhe prioritetet e planifikuara për vitin e ardhshëm.
Pika 20 – Propozim Vendimi mbi dhënien e pëlqimit në Programin e punës dhe planin financiar të KB “Deçiq” për vitin 2026
Në këtë pikë u shqyrtua nga Fisnik Gjokaj, Propozim Vendimi mbi dhënien e pëlqimit në Programin e punës dhe planin financiar të KB “Deçiq” për vitin 2026. Programi i punës për vitin 2026 paraqet një vizion të qartë për zhvillimin e sportit në Tuz, me theks të veçantë në krijimin e hapësirave dhe kushteve për brezat e rinj. Aktivitetet e planifikuara synojnë jo vetëm zhvillimin sportiv, por edhe përgatitjen psikologjike dhe sociologjike, si dhe punën edukative në formimin e karakterit dhe sjelljes së sportistëve.Plani financiar i paraparë për vitin 2026 kap vlerën prej 147 mijë euro.
Pika 21 – Propozim Vendimi mbi dhënien e pëlqimit në Raportin dhe Programin e punës të Organizatës Turistike të Tuzit për vitin 2026
Në këtë pikë u shqyrtua Raporti dhe Programi i punës i Organizatës Turistike të Tuzit për vitin 2026, ku u theksua nga drejtori i kesaj organizate, Alen Gjokaj, se turizmi në Komunën e Tuzit ka shënuar rritje të dukshme gjate vitit te kaluar. Për vitin 2026, të ardhurat e planifikuara të Organizatës Turistike të Tuzit arrijnë në 260 mijë euro. Në kuadër të programit të punës, është planifikuar një fushatë e drejtpërdrejtë për regjistrimin e akomodimit privat, si dhe vazhdimi i aktiviteteve promovuese, përfshirë faqen zyrtare të internetit dhe aplikacionin digjital. Po ashtu, Organizata Turistike do të vazhdojë organizimin e manifestimeve dhe aktiviteteve që pasurojnë ofertën turistike, me qëllim rritjen e atraktivitetit të zonës dhe zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit lokal.
Pika 22 – Propozim Vendimi mbi dhënien e pëlqimit në Programin e menaxhimit (planin e punës) dhe planin financiar të SHPK “Monumenti i Natyrës – Kanioni i Cemit” Tuz për vitin 2026
Si prioritete kryesore për vitin 2026 u theksuan: miratimi i akteve ligjore të nevojshme për funksionimin e shoqërisë, zbatimi i planit pesëvjeçar, mbrojtja e Monumentit të Natyrës, si dhe monitorimi i zonës së mbrojtur. Po ashtu, programi parasheh organizimin e manifestimeve me qëllim promovimin dhe sensibilizimin për rëndësinë e kësaj zone të mbrojtur. Buxheti i planifikuar për vitin 2026 për këtë shoqëri kap vlerën prej 76 mijë euro.









