Gjatë vizitës së tij në Bruksel, kryeministri Millojko Spajiq u takua me pjesëmarrësit e Akademisë Diplomatike Evropiane, me të cilët diskutoi perspektivën evropiane të Malit të Zi, pritjet nga anëtarësimi dhe rëndësinë e integrimit për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Kryeministri foli për përvojat e Malit të Zi në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian me theks të veçantë në situatën aktuale në fushën e politikës së brendshme, e cila, siç theksoi, paraqet një mbështetje të fortë për integrimin evropian pas turbullirave disavjeçare.
“Rreth 80% e qytetarëve tanë mbështesin anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Në Mal të Zi, më në fund ekziston një shumicë e qëndrueshme politike e gatshme për t’iu përgjigjur pritshmërive të qytetarëve dhe për të dhënë rezultate në atë drejtim”, tha Spajiq.
Kryeministri diskutoi për rëndësinë e diplomacisë me pjesëmarrësit e akademisë diplomatike dhe i njoftoi ata për gjendjen aktuale në Mal të Zi.
“Jemi të vetëdijshëm se rrjeti diplomatik-konsullor ka qenë mjaft i dobët në vitet e kaluara. Prandaj, Qeveria i trajton me përgjegjësi dhe përkushtim të gjitha proceset, përfshirë edhe këtë. Një strukturë e re diplomatike nuk mund të krijohet “brenda natës”. Është një proces që ne e trajtojmë me kujdes dhe duam që njerëzit e duhur të jenë në vendin e duhur. Kjo është mënyra e vetme për të arritur qëllimet e përcaktuara”, tha ai.
Gjatë takimit u bisedua për mundësitë në Bashkimin Evropian, veçanërisht për nevojën e dinamizimit të politikës së zgjerimit dhe u vlerësua se pranimi i anëtarëve të rinj është i rëndësishëm si për vendet kandidate, ashtu edhe për vetë idenë e Bashkimit Evropian.