CAKAJ: QEVERIA SHQIPTARE KONTRIBUT NË RINDËRTIMIN E SHKOLLËS FILLORE ‘DACAJ’

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, nëpërmjet një reagimi në Facebook bëri me dije se qeveria shqiptare do të kontribuojë në rindërtimin e shkollës fillore ‘Dacaj’, pas dëmtimeve të marra nga zjarri i rënë në muajin maj, duke vlerësuar rëndësinë e patjetërsueshme të kësaj shkolle si e vetmja shkollë në gjuhën shqipe në Rozhajë dhe si shkolla fillore më e vjetër në Mal të Zi. “Ne duhet të bëjmë çdo gjë që është e mundur ta ruajmë e ta mbajmë të hapur këtë qendër domethënëse të arsimit shqip në Mal të Zi.” – u shpreh Cakaj në reagimin e tij. Më tej, Cakaj shprehu vullnetin e plotë jo vetëm për t’u kujdesur duke rindërtuar godinën, por edhe duke siguruar materialet e nevojshme arsimore për të gjithë nxënësit shqiptarë atje. “Përderisa një pjesë të shpenzimeve për rindërtimin e kësaj shkolle i ka dhënë Republika e Kosovës, pjesën e mbetur për rindërtim e rregullim do ta mbulojë plotësisht Republika e Shqipërisë.”- përfundoi Cakaj reagimin.

SHARE