Sot në Kuvendin e Komunës së Tuzit, u zyrtarizua koalicioni parazgjedhor midis Alternativës Shqiptare dhe Lidhjes Demokratike Shqiptare.
Memorandumin e bashkëpunimit midis Alternativës Shqiptare dhe Lidhjes Demokratike Shqiptare e nënshkruan liderët e këtyre dy subjekteve politike, Nik Gjeloshaj dhe Nikollë Camaj.
Në memorandumin e bashkëpunimit thuhet: “Të bindur që spektri politik shqiptar në Mal të Zi ka nevojë për një bashkëpunim dhe bashkëveprim sa më të shpejt, me qëllim të një prezantimi sa më të denjë të interesave kombëtare në skenën politike të Malit të Zi dhe duke u nisur nga situata politike, aspak e favorshme, dhe nga marrëdhëniet e ftohta në mes partive politike shqiptare në Mal tëZi, bashkëpunimi i subjekteve nacionale dhe ndryshimi i qasjes së politikës nga ana e shqiptarëve në Mal të Zi, paraqitet si i domosdoshëm. Mbas përpjekjeve të shumta për të arritur deri te kjo, ku jo të gjithë kemi qenë gjithmonë në të njëjtin mendim për shumë çështje, sot më shumë se kurrë na duhet të gjejmë një mes të artë, që do te lartësonte dhe kthente besimin e qytetarëve te partitë politike shqiptare, besojmë se Koalicioni mes këtyre dy partive, me emër të propozuar-Forumi Shqiptar, do të unifikojë veprimtarinë politike shqiptare, së pari në Tuz, e pastaj edhe në nivel të shtetit të Malit të Zi, ku subjektet përbërëse ruajnë subjektivitetin e vet politik dhe strukturor, kurse FSH përcakton politikat dhe programin për rimëkëmbjen politike dhe ekonomike të shqiptarëve në Mal të Zi, me një strategji të qartë afatgjate. Programi do të prezantohet në nivelin lokal dhe atë shtetëror”, thuhet ndër të tjera në komunikatë nga ASH dhe LDSH.
Siç thuhet, FSH mbetet i hapur edhe për parti e subjekte të tjera, por në bazë të interesit të paraqitur fillimisht u dakorduan që në këtë bashkëveprim të hyjnë Alternativa Shqiptare dhe Lidhja Demokratike Shqiptare.
Siç theksojnë, me formimin e FSH-së, kryesuesit dhe e gjithë struktura organizative do të bëjë përpjekjet maksimale për të afruar edhe subjektet tjera shqiptare në përbërjen e këtij Forumi.
Me këtë formë , FSH do të jetë faktor politik i përfaqësuar me 17 këshilltarë në Komunat ku jetojnë shqiptarët në Mal të Zi, si dhe me funksionarë komunal dhe shtetëror.
“Programi politik i FSH do të jetë unifikim i programeve të partive nacionale, pjesë e këtij Forumit, më një strategji afatgjate dhe objektiva të mirë–përcaktuara, që kanë qëllim zvogëlimin e numrit të subjekteve shqiptare në Mal të Zi”, thuhet në memorandum.
Me këtë Memorandum përcaktohet edhe struktura organizative e FSH-së. Strukturat e Forumit Shqiptar (ASH-LDSH) janë: ➢ Kryesia e FSH, e cila do të përbëhet nga përfaqësuesit politik që ASH dhe LDSH do ti delegojnë në Kryesi, kurse Vendimet e Kryesisë merren me konsensus.
Kryetari i FSH ka mandat njëvjeçar, dhe ushtrohet me rotacion.
Siç sqarohet në këtë memorandum, mandati i parë nga nënshkrimi i Marrëveshjes dhe gjatë vitit 2019 i takon ASH-së, kurse për vitin 2020 LDSH-së, dhe pastaj vitet tjera me rotacion.