Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq sot në Kuvend po u përgjigjet pyetjeve të përfaqësuesve të klubeve parlamentare, në seancën e posaçme të Kuvendit kushtuar orës së kryeministrit.
Nuk do të ketë rritje të faturave të enegjerisë elektrike
Duke folur për çmimet e energjisë elektrike, ai pohon se Qeveria nuk do të lejojë që nga janari 2025 faturat e energjisë elektrike të jenë as një cent më të larta.
“Programi “Evropa Tani 2” nuk do të rrisë as edhe një euro borxhin publik. Të gjitha masat e këtij programi, që synojnë përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve, do të financohen nga të ardhurat aktuale të shtetit, siç ishte rasti me programin “Evropa Tani 1”, thuhet në përgjigjen e Spajiqit.
Kjo, siç është paralajmëruar, garanton suficitin e shpenzimeve buxhetore korrente që Mali i Zi e arrin në vazhdimësi nga viti 2020 e deri më sot.
Së shpejti me Ramën për ndërtimin e urës në Bunë
Deputeti i Forumit Shqiptar Artan Çobi pyeti kryeministrin se në çfarë faze është projekti i ndërtimit të urës në Bunë, e cila do të lidhë Ulqinin me Velipojën, nëse është bërë ndonjë progres në këtë drejtim, dmth nëse është rënë dakord për projektin final me Shqipërinë dhe kur do të fillojnë punimet zyrtare.
Spajiq tha se është duke u përgatitur një takim me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe se ndërtimi i asaj ure do të jetë një nga temat e takimit.
“Ajo urë është një nga prioritetet më të larta të buxhetit për vitin 2025, në të cilën janë paraparë 10 milionë euro për atë projekt”, tha Spajiq dhe shtoi se ekziston një gatishmëri absolute e pushtetit ekzekutiv që të përfundojë ndërtimin e asaj ure.
Në fillim të vitit të ardhshëm tenderi për linjën Adriatiko-Jonian
Mehmet Zenka nga Klubi i deputetëve të Unionit Demokratik të Shqiptarëve dhe Nismës Qytetare Kroate e ka pyetur Spajiqin „A do të përjetojë Ulqini një zgjidhje të drejtë për kufijtë e Të Mirave Detare? A mendoni se ka ardhur koha që abuzimet dhe padrejtësitë që lidhen me këtë çështje të zgjidhen përfundimisht?
Kryeministri u përgjigj se Ulqini është lënë pas dore në mënyrë të pamerituar për tre vite, dhe një nga vendimet e kësaj qeverie është që rruga Adriatiko-Jonian të kthehet në komunën e Ulqinit.
Kryeministri thotë se projekti po ecën shumë mirë dhe me shpejtësi.
“Presim që tenderi për përmbarim të shpallet në fillim të vitit të ardhshëm”, tha Spajiq.