NATO: NUK ZBRAPSEMI NGA MBROJTJA E UKRAINËS / RUSIA NXJERR ARMËN E RE

Foto: North Altantic Treaty Organization

NATO deklaroi se përdorimi i një rakete balistike eksperimentale me rreze të mesme veprimi kundër Ukrainës nga ana e Rusisë, nuk do ta ndryshojë rrjedhën e konfliktit.

Një lëvizje e tillë, u shpreh zëdhënësja e aleancës, Farah Dakhlallah, nuk do t’i pengojë aleatët e Ukrainës në NATO të mbështesin Kievin.

“Rusia po përpiqet të terrorizojë civilët dhe të frikësojë aleatët e Ukrainës duke përdorur këtë lloj rakete. Por kjo nuk e ndryshon qëndrimin e aleancës”, u shpreh zëdhënësja e NATO-s.

Rusia u shpreh se është e sigurtë që SHBA-ja e kupton paralajmërimin që Moska i dërgoi Perëndimit. ““Mesazhi kryesor është se vendimet dhe veprimet e pamatura të vendeve perëndimore që prodhojnë raketa, i dërgojnë ato në Ukrainë dhe më pas marrin pjesë në sulmet në territorin rus nuk mund të mbeten pa reagim nga pala ruse”, pohoi zëdhënësi i Kremlinit, Dimitri Peskov, që shtoi se Rusia nuk ishte e detyruar të paralajmëronte SHBA-në për sulmin, por gjithsesi i kishte informuar ato 30 minuta para lëshimit. Peskov nënvizoi se pavarësisht të gjithave, presidenti Putin mbetet i hapur për dialog.

SHARE