ALIU: KOSOVA PO PËRBALLET ME AJËR, UJË DHE TOKË TË NDOTUR NË SHUMË ZONA

Foto: Erkin Keçi / AA

Kosova vazhdon të përballet me ndotjen e ajrit, ujit dhe tokës, ka thënë ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, raporton Anadolu.

Në një konferencë për media, ku ministri Aliu shpalosi disa prej planeve për rrugë rajonale, u pyet edhe mbi ndotjen e ujërave sipërfaqësorë në Kosovë.

Aliu tha se jo vetëm ujërat, por institucionet kosovare po vazhdojnë të përballen edhe me ajër dhe tokë të ndotur dhe për këtë përmendi disa arsye.

“Sa i përket ujërave në vendin tonë, po është e vërtetë… jo vetëm ujërat, edhe ajri, edhe toka në shumë prej ambienteve/zonave në vendin tonë është mjaft i ndotur dhe janë faktorë të ndryshëm që ndikojnë. Nuk janë vetëm ujërat e zeza, janë edhe mbeturinat, deponitë. Deponitë ndikojnë edhe ndotjen e ujërave, madje në emetimin e metanit që është mjaft problematik si gaz serë. Po ashtu kemi probleme edhe të ajrit nga të njëjtat dhe njëri nga faktorët është edhe faktori i ujërave të zeza”, theksoi Aliu.

Aliu tha se Kosova ka 70 për qind të ndërtimeve – ndërtime informale dhe komplet sistemi i kanalizimit është një proces i cili merr kohë në vazhdimësi.

Ai tha se tashmë të gjitha rajonet i kanë projektet e veta për përmirësimin e kësaj gjendje, të cilat projekte financohen në bashkëpunim me Bashkimin Evropian.

Tutje, Aliu tha se trajtimi i ujërave të zeza është një prej problemeve më të mëdha në Kosovë me të cilat janë marrë në vazhdimësi.

Ministri tha se impianti i ujërave të zeza në Ferizaj është një nga projektet që pritet të ketë më së shumti ndikim pozitiv, për shkak se ndotja e ujërave në këtë regjion është e madhe.

Sipas një raporti të bërë nga organizata mjedisore “Rilindja e gjelbër” të publikuar ditë më parë, u bë e ditur se nga monitorimi i 10 lumenjve në Kosovë kanë ardhur në përfundim se “ato i takojnë statusit të moderuar, që nënkupton i takojnë klasifikimit më të fundit të ujërave sipërfaqësorë, që i bën të jenë të cilësisë së dobët ose gjendje të mjerueshme”.

SHARE