Tavë me Patate të Shtruara me Presh – Receta më e Mirë e Stinës

Duke qenë se përherë jemi në kërkim të gatimeve të reja, mundohemi të sjellim tek ju ato më të veçantat.

E tillë është edhe tava e patateve të shtruara me presh e djathë.

Një kombinim stinor plot vlera e shije, që do t’ju mahisë vërtetë e do të kthehet në të preferuarin tuaj.

Hapat janë të lehtë e mund ta përgatisni pa shumë mund.

Provojeni që sot këtë recetë që ju sugjeron AgroWeb.org.

Përbërësit

2 lugë gjelle me gjalpë

2 lugë gjelle vaj ulliri

500g presh

500g patate

200g djathë i bardhë

Gjysmë gote me pana ose qumësht

Gjysmë gote lëng mishi ose ujë i vakët

2 thelpinj hudhër

Kripë

Piper i zi

Përgatitja

Hapi i parë i parë i kësaj recete është shumë i lehtë, ndizni furrën tek 220 gradë,që të jetë e ngrohtë.

Ndërkoha lani me ujë të bollshëm perimet dhe qërojini.

Kini kujdes që preshit t’i hiqni dhe ndonjë gjethe e cila mund të jetë e trashë ose e dëmtuar.

Patatet pasi t’i keni pastruar mirë nga lëkura, shikojini për ndonjë vend të nxirë.

Pasi të jeni të sigurt që perimet i keni të pastruara pritini në feta sa më të holla.

AgroWeb.org ju sugjeron që t’i vendosni në enë të ndara të mbushura me ujë.

Patatet kështu do të shkarkojnë niseshtenë e tepërt që përmbajnë e cila shkakton fryrjen e stomakut.

Ndërsa preshi do të pastrohet plotësisht nga çdo mbetje që mund të ketë ngelur në gjethet e tij.

Në zjarr vendosni një tigan me gjalpë, ose vaj ulliri dhe skuqni lehtë preshin dhe hudhrat e shtypura.

Kur fetat e preshit të jenë zbutur jepini shije me kripë he piper dhe lërini dhe 3-4 minuta.

Tani AgroWeb.org ju këshillon që të merrni një tavë të spërkatur me pak vaj dhe aty të shtroni gjysmat e patateve.

Në mes mbusheni me preshin e skuqur lehtë dhe më pas shtresën e dytë, e të fundit, të patateve.

Tek tigani hidhni panën, lëngun e mishit dhe djathin.

Skuqini lehtë dhe përziejeni mirë në mënyrë që lidhen përbërësit.

Lëreni në zjarr derisa të fillojë të krijohen bulëza në sipërfaqen e tiganit.

Këtë masë hidheni sipër patateve dhe preshit, dhe pasi ta keni spërkatur dhe me pak vaj futeni për ta pjekur.

Zakonisht kjo tavë kërkon rreth 50-60 minuta, por mjafton që salca e panës të jetë mpiksur dhe patatet të jenë zbutur sa duhet.

Pasi ta nxirrni nga furra lëreni të ftohet pak tava e më pas mund ta shërbeni./AgroWeb.org

SHARE