Parlamenti Evropian ka miratuar një rezolutë të jashtëzakonshme për Serbinë, në prag të përvjetorit të shembjes së tendës në Stacionin e Trenit në Novi Sad, ngjarje që shkaktoi protesta në mbarë vendin.
Miratimit të rezolutës i ka paraprirë një debat, në të cilin komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, tha se tragjedia në Novi Sad dhe pasojat e saj kanë thelluar më tej polarizimin në shoqërinë serbe.
“Gjatë 11 muajve të fundit, qytetarët serbë, të udhëhequr nga studentët, kanë protestuar në të gjitha qytetet e Serbisë, duke kërkuar llogaridhënie për këtë tragjedi. Korrupsioni dhe mungesa e perceptuar e përgjegjësisë ishin dy nga shkaqet kryesore të protestave. Gjithashtu, pakënaqësia e njerëzve lidhet kryesisht me mungesën e demokracisë, kapjen e mediave dhe pandëshkueshmërinë e politikanëve”, tha Marta Kos, Komisionere për Zgjerim.
Në debat, eurodeputeti Tonino Picula, raportues për Serbinë në Parlamentin Evropian, theksoi se tragjedia në Novi Sad dëshmon se korrupsioni nuk është vetëm një krim, por shkatërron institucionet dhe merr jetë njerëzish.
“Ndërsa qeveria serbe përsërit se dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, ajo po largohet gjithnjë e më shumë nga vlerat themelore evropiane. Progresi matet me reforma konkrete, jo me premtime boshe. Institucionet e pavarura, media e lirë dhe qytetarët duhet të jenë partnerë të qeverisë – jo shënjestra të teorive konspirative. Ky debat dhe kjo rezolutë nuk janë sulm ndaj Serbisë. Evropa nuk e ka zhgënjyer Serbinë; qeveria në Serbi po i zhgënjyen qytetarët e saj”, tha Picula.
Në rezolutën e miratuar, Parlamenti Evropian dënon shtypjen e protestuesve nga ana e qeverisë, pengimin e drejtësisë në identifikimin e përgjegjësve për tragjedinë dhe polarizimin në rritje në Serbi.
Gjithashtu, rezoluta hedh poshtë pretendimet e qeverisë se shembja e tendës ishte rezultat i terrorizmit apo sabotimit dhe dënon mobilizimin e individëve me të kaluar kriminale nga partia në pushtet.Po ashtu, dënohen përpjekjet për shtypjen e mediave të pavarura në Serbi.