KF „DEÇIQ“ ELIMINON BUDUQNOSTIN DHE SIGURON ÇEREKFINALEN E KUPËS SË MALIT TË ZI

Një mbrëmje futbolli për t’u mbajtur mend në arenën „BESA“.

KF „Deçiq“ ka dhënë një tjetër provë force dhe karakteri, duke mposhtur rivalin e fortë Buduqnost me rezultat 3:2, në një përballje dramatike të fazës së 16-shes së Kupës së Malit të Zi.

Futbollistët e KF „Deçiq“ nisën furishëm dhe arritën epërsinë në minutën e 38-të. Trimron Selimi, me një depërtim fantastik në krahun e majtë, mposhti dy mbrojtës të Buduqnostit dhe asistoi për Stefan Golluboviqin, i cili me një goditje të fuqishme me të majtën, dërgoi topin në rrjetë dhe ngjalli ekstazë te publiku vendas.

Buduqnost barazoi në minutën e 49-të, por Deçiqi reagoi si kampion i vërtetë; vetëm pesë minuta më vonë, me një tjetër aksion të bukur nga krahun e majtë, Golluboviq asistoi, ndërsa Asmir Kajeviq, me përvojën e tij, goditi saktë me kokë për rezultatin 2:1.

Kur pritej një sulm total nga mysafirët, ishte Vuk Strikoviq ai që në minutën e 80-të realizoi për 3:1, duke vulosur praktikisht fitoren.

Edhe pse Petar Grbiq ngushtoi rezultatin në minutën e 90-të në 3:2, kjo nuk mjaftoi, Deçiqi tregoi pjekuri, vendosmëri dhe shpirt gare, duke mbrojtur epërsinë gjatë katër minutave shtesë dhe duke eliminuar një kundërshtar të drejtpërdrejtë në garën për trofe.

Fitorja ndaj Buduqnostit është një tjetër kapitull i lavdishëm për klubin nga Malësia, i cili jo vetëm që mbrojti nderin e trofeut të fituar sezonin e kaluar, por dëshmoi se është gati të shkojë deri në fund edhe këtë vit.

SHARE