BE: BISEDIMET E PAQES VAREN NGA VENDIMI I UKRAINËS

Bashkimi Evropian përsëriti sot se çdo negociatë paqeje në lidhje me luftën në Ukrainë duhet të vendoset nga vetë Kievi, transmeton Anadolu.

“Pozicioni ynë është i qartë. Ne mbështesim të gjitha përpjekjet drejt paqes dhe ajo që kemi parë gjatë gjithë kohës është se Ukraina dëshiron paqe. Evropa dëshiron paqe. SHBA-ja do paqe”, tha zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper në një konferencë për media në Bruksel.

“Kjo është arsyeja pse ne po e mirëpresim iniciativën e presidentit Trump për të arritur, më në fund këtë qëllim”, shtoi ajo.

Një samit i planifikuar midis presidentit amerikan Donald Trump dhe homologut të tij rus Vladimir Putin, që planifikohet të mbahet brenda dy javësh në Budapest, nuk parashihet të realizohet në të ardhmen e afërt, sipas Shtëpisë së Bardhë. Vendimi për takimin u mor gjatë një bisede telefonike midis dy udhëheqësve më 16 tetor.

Përderisa Rusia insiston në adresimin e shkaqeve rrënjësore të konfliktit të Ukrainës para një armëpushimi, udhëheqësit evropianë thonë se linja aktuale e kontaktit duhet të jetë pika fillestare e negociatave. Trump mirëpriti idenë e ndërprerjes së konfliktit në linjën aktuale të kontaktit.

Hipper akuzoi Rusinë se vazhdon të zgjedhë “gjuhën e luftës”, duke përsëritur mbështetjen e bllokut për Kievin si financiarisht ashtu edhe ushtarakisht. “Ne mund të sigurohemi që Ukraina të mbetet e fortë gjatë, pas dhe para çdo armëpushimi”, tha ajo duke shtuar se blloku këtë javë po përgatit paketën e 19-të të sanksioneve kundër Rusisë.

“Kur bëhet fjalë për negociatat, i takon Ukrainës të vendosë dhe ne po e mbështesim plotësisht Ukrainën dhe presidentin Zelenskyy në këtë thirrje”, theksoi ajo. Hipper tha se BE-ja po rrit përpjekjet për të trajtuar të ashtuquajturën “flota hije” e Rusisë që përdoret për të anashkaluar sanksionet e naftës.

Ajo shtoi se blloku po “shqyrton praktikat më të mira” dhe po koordinohet me vendet anëtare dhe partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Task Forcën G7, për të përmirësuar monitorimin dhe zbatimin.

“Ne kemi emëruar një koordinator në këtë drejtim për të na mbështetur gjatë gjithë kohës”, shtoi ajo.

Për t’iu kundërvënë sanksioneve perëndimore për shkak të luftës në Ukrainë, thuhet se Rusia ka zhvilluar të ashtuquajturën “flota hije”, një rrjet cisternash nafte për të anashkaluar sanksionet ndërkombëtare dhe për të ruajtur shitjet globale të naftës.

SHARE