SHTETET E BASHKUARA DHE MALI I ZI THELLOJNË BASHKËPUNIMIN EKONOMIK

Të hënën, Shtetet e Bashkuara dhe Mali i Zi nënshkruan një Memorandum për bashkëpunimin ekonomik, i cili do të jetë bazë për dialogun e mëtejshëm ekonomik ndërmjet Uashingtonit dhe Podgoricës, me qëllim, ndër të tjera, promovimin e tregtisë dhe investimeve.

Memorandumi i Mirëkuptimit u nënshkrua në Departamentin e Shtetit në Uashington në emër të qeverisë së SHBA-së dhe Malit të Zi nga nënsekretari i SHBA-së për Rritjen Ekonomike, Energjinë dhe Mjedisin Jose Fernandez dhe zëvendëskryeministri dhe ministër i Zhvillimit Ekonomik Nik Gjeloshaj.

Nënsekretari Fernandez theksoi se ai është i inkurajuar nga përparimi që është bërë që nga fillimi i dialogut ekonomik në vitin 2021 nga të dy vendet, veçanërisht kur bëhet fjalë për “investimet e huaja direkte, kontrollet e eksporteve, sigurinë kufitare dhe forcimin e gjykatave tregtare”.

“Jam shumë i impresionuar nga rezultatet (e dialogut) të deritanishëm dhe pres me padurim për të ardhmen. Ky dialog ekonomik është rezultat i besimit që po ndërtojmë dhe që na lejon të kemi bisedime serioze… Mali i Zi ka treguar se është një partner i mirë”, tha Fernandez.

“Përmes përmirësimit të partneritetit tonë ekonomik në fusha të tilla si digjitalizimi, siguria kibernetike, turizmi, infrastruktura e transportit dhe energjia, ne do të krijojmë mundësi të reja për inovacion, investime dhe zhvillim ekonomik”, tha Gjeloshaj.

Ai gjithashtu u bëri thirrje kompanive amerikane që ta njohin Malin e Zi si një destinacion “të sigurt” për investime:

“Me përpjekjet e përbashkëta të qeverive tona dhe subjekteve të biznesit, ne mund të krijojmë një mjedis të favorshëm për investime dhe shkëmbim tregtar, i cili do të kontribuojë në rritjen dhe zhvillimin ekonomik të të dy vendeve. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në kontekstin e sfidave aktuale me të cilat po përballemi, siç janë pasojat e inflacionit global, paqëndrueshmëria ekonomike dhe lufta në shkallë globale”.  

SHARE