Foto: predsjednik.me
Me rastin e këtij jubileu – tetë dekada nga themelimi i Kombeve të Bashkuara – Presidenti i shtetit mori pjesë sot në një takim të nivelit të lartë në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke theksuar rëndësinë e unitetit në kohë ndryshimesh të mëdha gjeopolitike dhe sfidash globale në rritje.
“Po shënojmë 80 vjetorin e themelimit të Kombeve të Bashkuara në një moment kur bota po kalon përmes ndryshimeve të ndërlikuara dhe të rëndësishme gjeopolitike. Gjatë këtyre tetë dekadave, OKB-ja ka mbetur e palëkundur në misionin e saj themelor – ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, si dhe nxitjen e barazisë, solidaritetit dhe bashkëpunimit mes shteteve”, tha Presidenti Millatoviq.
Ai theksoi se Kombet e Bashkuara janë një forum unik dhe i pazëvendësueshëm ku çdo shtet ka vendin e vet, dhe se të mirën e përbashkët mund ta arrijmë vetëm përmes vullnetit kolektiv dhe përgjegjësisë së përbashkët.
“Mali i Zi vazhdimisht dëshmon se forca e vërtetë nuk qëndron në madhësinë e shtetit, por në fuqinë e bindjeve, parimeve dhe përkushtimit ndaj vlerave universale. Rrugëtimin tonë evropian e shohim si një detyrë të përditshme për reformimin e shoqërisë dhe forcimin e institucioneve, ndërsa anëtarësinë në OKB si një përgjegjësi të përbashkët për ndërtimin e një bote të barazisë dhe solidaritetit, ku qytetari është në qendër të çdo politike”, theksoi Millatoviq.
Në një kohë kur bota përballet me sfida të shumta – nga konfliktet shkatërruese dhe ndryshimet klimatike, te varfëria dhe dezinformimi – presidenti bëri thirrje për unitet dhe solidaritet:
“Tani, më shumë se kurrë, na nevojitet një mesazh i qartë nga OKB-ja: të ardhmen mund ta ndërtojmë vetëm së bashku. Le të mbeten bashkëpunimi ndërkombëtar, solidariteti dhe shpresa për një botë më të mirë kompasi ynë drejt një bote të denjë për çdo njeri.”
Presidenti Mlilatoviq sot do të mbajë një fjalim në konferencën e nivelit të lartë kushtuar Palestinës dhe do të zhvillojë një sërë takimesh bilaterale me liderë botërorë.