Foto: Shutterstock
Gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, numri i ankesave kundër Malit të Zi në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka vazhduar të rritet.
Sipas raportit të Zyrës së Përfaqësuesit të Shtetit, 63% e rasteve lidhen me vonesa të gjata në Gjykatën Kushtetuese, duke treguar mungesë të mekanizmave efikasë dhe mjeteve juridike të brendshme.
Një tjetër problem serioz është moszbatimi i vendimeve gjyqësore vendore, me shembullin më të qartë rastin e ish-punëtorëve të “Radoje Dakiq”, për të cilët shteti u detyrua të paguajë mbi 14 milionë euro pas ndërhyrjes ndërkombëtare.
Në fund të qershorit 2025, 14 vendime kundër Malit të Zi ishin nën mbikëqyrje nga Këshilli i Evropës, ndërsa 7 prej tyre janë në mbikëqyrje të shtuar, duke treguar për probleme sistematike dhe të thella në sistemin gjyqësor.
Raporti thekson se mungesa e reformave efektive po sjell pasoja për shtetin dhe qytetarët – përmes humbjes së kohës, besimit dhe fondeve publike.