Delegacioni i Bashkimit Evropian (BE) në Shqipëri në një deklaratë ka theksuar se Shqipëria mund të arrijë objektivin për të mbyllur negociatat e anëtarësimit në BE deri në fund të vitit 2027, transmeton Anadolu.
Në rrjetet sociale, Zyra e Delegacionit të BE-së ka publikuar një mesazh urimi për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ku qeveria e drejtuar prej tij filloi zyrtarisht disa ditë më parë mandatin e katërt qeverisës.
“Urime kryeministrit Edi Rama dhe të gjithë ministrave për marrjen e detyrës. Me një përpjekje të qëndrueshme për të miratuar dhe zbatuar reformat e nevojshme përmes proceseve transparente dhe gjithëpërfshirëse, Shqipëria mund të arrijë objektivin ambicioz për të mbyllur negociatat e anëtarësimit në BE deri në fund të vitit 2027. Ne pritje për të punuar me të gjithë aktorët shqiptarë për të arritur këtë moment historik, në të mirë të qytetarëve shqiptarë”, thuhet në deklaratë.
Kabineti i ri qeveritar i drejtuar nga kryeministri Rama filloi zyrtarisht detyrën më 19 shtator.
Shqipëria është vend kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian që nga viti 2014 dhe në vitet e fundit ka mbajtur disa konferenca ndërqeveritare me BE-në për hapjen e grupkapitujve për negociatat e anëtarësimit.