Specat e skuqur ashtu si edhe fërgesa janë ndër gatimet më të preferuara të shqiptarëve.
Me një shije unike dhe tipike tradicionale ato të kënaqin nepsin dhe oreksin teksa shërbehen në tryezë.
AgroWeb.org ju sjell më poshtë një kombinim fantastik të specave të fërguara dhe të mbushura me fërgesë.
Një recetë fantastike që padyshim do shndërrrohet në më të preferuarën tuaj.
Përgatitja e Specave të Mbushura me Fërgesë
Përbërësit
(Sasia e përbërësve më poshtë është për 4-5 persona)
- 8 speca të gjelbër ose të kuq në madhësi mesatare
- 2 kokrra domate
- 400 gr gjizë
- 3-4 thelpinj hudhra
- Majdanoz
- Kripë
- Piper i zi
- Piper i kuq djegës
- 1 lugë gjelle vaj ulliri
- 1 lugë gjelle gjelle gjalpë të freskët
Përgatitja
Si fillim, pastroni specat, vendosini në një tavë, kriposini pak dhe futini në furrë të parangrohur.
Lërini të piqen për 10-15 minuta, në kaq kohë specat do të jenë gjysmë të pjekura.
Ndërkohë, përgatisni fërgesën.
Në një tigan shtoni vajin e ullirit dhe gjalpin e freskët, lërini në zjarr derisa ky i fundit të shkrijë dhe shtoni thelpinjtë e hudhrave të shtypura.
Kaurdisini pak me njëra tjetrën e më pas shtoni domatet e grira shumë hollë ose të grira në rende.
Kaurdisini pak derisa volumi i domates të bjerë dhe të mbetet pa lëng.
Në këtë moment, AgroWeb.org ju udhëzon të shtoni gjizën, kripën, piperin e zi dhe pak piper të kuq djegës sipas preferencës.
Kaurdisini të gjitha bashkë duke shtuar edhe majdanozin e grirë hollë,
Largojeni fërgesën nga zjarri dhe përmes një luge të vogël çaji mbushni specat që janë gjysmë të pjekura dhe kalojini për një skuqje të lehtë nga të dyja anët në tigan.
Pasi të jenë skuqur, specat e mbushura me fërgesë jani gati për t’u servirur.
Shoqërohen në mënyrë të shkëlqyer me bukë të thekur gruri apo misri, byrekë shtëpie por edhe gatime të tjera shtëpie./AgroWeb.org