PRESIDENTJA OSMANI TAKON SEKRETARIN E PËRGJITHSHËM TË NATO-s, JENS STOLTENBERG

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i tha shefit të NATO-s, Jens Stoltenberg, se anëtarësimi në NATO, është qëllim strategjik i Kosovës. Sipas saj, anëtarësimi në NATO dhe Bashkimin Evropian, kontribuon në rritje të sigurisë dhe stabilitetit në Ballkan. Megjithatë, Osmani ka thënë se anëtarësimit në NATO duhet t’i paraprijë përfshirja e Kosovës në programin e aleancës, Partneriteti për Paqe. Ajo i ka bërë këto deklarata pas takimit me Stoltenbergun në Nju Jork, në të cilin ishte e pranishme edhe ministrja e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla – Schëarz. Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur anëtarësimin e Kosovës në këtë program, ndonëse kanë rikujtuar se për një vendim të tillë kërkohet pajtimi i 30 vendeve anëtare të Aleancës. Nga 30 vende anëtare të NATO-s, Kosovën si shtet të pavarur e kanë njohur 27 prej tyre ndërsa katër (Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja) ende jo. Qeveria e Kosovës ka thënë se ka formuar tashmë një grup pune për anëtarësimin në Partneritetin për Paqe. Partneriteti për Paqe është një program i NATO-s, që synon krijimin e besimit midis shteteve anëtare të NATO-s dhe shteteve të tjera në Evropë. Vetë NATO-ja është prezente në Kosovë përmes misionit të saj KFOR.

SHARE