Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka ftuar përfaqësuesit e protestuesve në një debat publik, që mund të mbahej përpara të gjitha televizioneve dhe portalet.
Ai këtë ftesë e bëri publike përmes një videoje në Instagram.
Studentët e Fakultetit Filozofik të Universitetit të Beogradit iu përgjigjën thirrjes së Vuçiçit, duke thënë se me presidentin e Serbisë do të bisedojnë vetëm kur ai të shpallë zgjedhje të reja.
“Është e qartë se nuk ka përgjigje ndaj revoltës së popullit, prandaj tani do të flasë me ne, të cilët prej muajsh na quan terroristë. Për vizionet dhe programet për të ardhmen do të debatojmë gjatë fushatës parazgjedhore, kur të shpallë zgjedhje”, thanë studentët.
Në Serbi, për më shumë se nëntë muaj po mbahen protesta, ku kërkesa kryesore është përcaktimi i përgjegjësisë për vdekjen e 16 personave në shembjen e strehës prej betoni në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad.
Studentët, që udhëheqin protestat, i konsiderojnë zgjedhjet e reja si hap të pashmangshëm, pasi “shteti nuk ka bërë asgjë lidhur me përgjegjësinë për tragjedinë” në Novi Sad.
Ndërkohë, pushteti në Serbi ka refuzuar që të shpallë zgjedhje të parakohshme.
“Ftoj përfaqësuesit e lëvizjes së bllokadës në një bisedë dhe debat publik mbi vizionet, të flasim për planet dhe programet tona për të ardhmen dhe që së bashku të dënojmë dhunën në rrugët tona”, tha Vuçiç në videon e publikuar më 22 gusht.
Presidenti serb tha se protestat po zgjasin tash e nëntë muaj dhe se “një pjesë e njerëzve në vendin tonë duan ndryshime”.
“Së pari këto u paraqitën si kërkesa për drejtësi, e më pas hapur filluan të flasin për ndryshime politike dhe për kërkesa për zgjedhje, edhe pse më parë i mohonin. Pavarësisht gjithçkaje të keqe që mendoj për kërkesat e tyre, besoj se është shumë e rëndësishme të dëgjojmë njëri-tjetrin. Mendoj se është me rëndësi vendimtare që të rifillojmë dialogun në Serbinë tonë”, theksoi Vuçiç.