SHBA NIS KONTROLLIN E 55 MILIONË PERSONAVE ME VIZA PËR SHKELJE QË MUND TË ÇOJNË NË DËBIM

Administrata amerikane ka njoftuar se po kontrollon mbi 55 milionë persona që posedojnë viza të vlefshme të SHBA-së, për çdo shkelje që mund të çojë në dëbim.

Kjo fazë është pjesë e masave të shtuara kundër emigrantëve që kanë leje qëndrimi në Shtetet e Bashkuara.

Departamenti Amerikan i Shtetit, duke iu përgjigjur Associated Press, shprehet se të gjithë personat me viza, përfshirë turistët e huaj, do t’i nënshtrohen kontrollit për të verifikuar nëse kanë bërë ndonjë shkelje që i bën të papërshtatshëm për hyrje ose qëndrim në SHBA.

“Nëse gjenden të dhëna të tilla, viza do t’u hiqet, ndërsa nëse mbajtësi i vizës ndodhet brenda territorit amerikan, ai ose ajo do të dëbohet,” tha DASH-i.

Departamenti Amerikan i Shtetit theksoi se përqendrohet në indikatorë të papërshtatshëm, përfshirë qëndrimin përtej afatit të vizës, aktivitetet kriminale, rrezikun për rendin publik, përfshirjen në aktivitete terroriste apo mbështetjen e organizatave terroriste.

Sakaq, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, në rrjetin X, ka njoftuar se SHBA do të ndalojë lëshimin e vizave të punës për shoferët e kamionëve komercialë.

Sipas të dhënave të Departamentit për Siguri të Brendshme, vitin e kaluar në SHBA kanë qenë 12.8 milionë persona me “green card” dhe 3.6 milionë me viza të përkohshme.

SHARE