Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk e ka certifikuar partinë më të madhe serbe në Kosovë, Listën Serbe, për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Lista Serbe nuk mori mbështetjen nga anëtarët e KQZ-së, respektivisht dy vota ishin pro certifikimit, dy kundër dhe shtatë abstenime.
Pro votuan kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi dhe përfaqësuesja e Listës Serbe.
Dy anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje votuan kundër, ndërsa abstenimet ishin nga përfaqësuesit e partive të tjera.
Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, kundërshtuan certifikimin e kësaj partie duke publikuar dokumente që tregonin se kandidatë të Listës Serbe për kryetarë komunash apo asamblistë mbajnë pozicione në organet paralele të Serbisë në Kosovë.
Serbia e ka dënuar “fuqishëm” vendimin e Komisionit Qendror Zgjedhor të Kosovës për moscertifikimin e partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Lista Serbe, për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, tha ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq.
Në një shkrim në Facebook, Gjuriç tha se Serbia i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare të reagojë në “mënyrë vendimtare” ndaj vendimit të KQZ-së.
“Heshtja përballë një shtypjeje të tillë do të barazohej me bashkëfajësi”, shkroi ai.
Ai e cilësoi vendimin e KQZ-së si “shembull flagrant i inxhinierisë politike që synon përjashtimin e popullit serb nga jeta demokratike”.
“Duke refuzuar kandidaturat e dorëzuara në mënyrë të rregullt, të cilat plotësojnë të gjitha kërkesat ligjore, autoritetet në Prishtinë edhe një herë kanë shkelur sundimin e ligjit dhe kanë zbuluar synimin e tyre të vërtetë – të heshtin zërin legjitim të serbëve në Kosovë dhe Metohi”, shkroi ai.