Foto: Ilustrim
Aeroportet e Malit të Zi kanë shërbyer mbi dy milionë pasagjerë nga fillimi i vitit deri më 20 gusht, që përbën një rekord të ri.
Për krahasim, pasagjeri i dy miliontë ishte shërbyer më së shpejti më 28 gusht 2024, që deri tani ishte viti rekord, ndërsa në vitin para pandemisë, 2019, ky numër u arrit më 8 shtator, thuhet në njoftimin e këtij institucioni.
Duke pasur parasysh që, siç kanë theksuar ata, trafiku është në rritje dhe se këtë vit, për herë të parë që nga themelimi, pritet të arrijnë afër tre milionë pasagjerë, në të njëjtat terminale ku në vitin 2006 janë shërbyer vetëm 860 mijë pasagjerë, si dhe që procesi i koncesionit i nisur në vitin 2018 ende nuk është zgjidhur gjë që, sipas tyre, kufizon mundësitë për investime, ata ndodhen në situatën kur duhet urgjentisht të ndërmarrin zgjidhje të shpejta dhe të përkohshme për t’iu përgjigjur fluksit të paralajmëruar të trafikut.
Nga Aeroportet e Malit të Zi njoftojnë se në vitin e ardhshëm, 2026, hyjnë me ambicie për të rritur numrin e linjave ajrore dhe të avionëve të bazuar, dhe gjithashtu po përgatiten për mundësinë e zgjatjes së orarit të punës.
“Kjo do të thotë se organizimi i punës, stafi dhe infrastruktura duhet të harmonizohen me rritjen e pritur të trafikut të pasagjerëve dhe avionëve. Në këtë drejtim, përmes hartimit të një Rregulloreje të re për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin, proces që është në zhvillim e sipër, po i përshtatemi rregulloreve të përditësuara dhe po veprojmë sipas kërkesave të organeve kompetente rregullatore”, thuhet në njoftim.
Nëse krijohen kushte të arsyeshme, ata paralajmërojnë se do të jenë të gatshëm të zgjasin orarin e punës dhe të jenë më të hapur për trafik ajror.