NËSE POLITIKAT KLIMATIKE NUK FORCOHEN NË EVROPË, VDEKJET NGA NXEHTËSIA MUND TË TREFISHOHEN DERI NË VITIN 2100

Studiuesit evropianë paralajmëruan se vdekjet nga nxehtësia mund të trefishohen deri në vitin 2100 nëse nuk merren masa efektive për të luftuar krizën klimatike, transmeton Anadolu.

Në hulumtimin e publikuar në revistën ‘The Lancet Public Health’ dhe të kryer nga Qendra e Përbashkët Kërkimore e Komisionit të Bashkimit Evropian (JRC) në partneritet me Shkollën e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër (LSHTM), u theksua se politikat klimatike duhet të forcohen për të mbrojtur rajonet më të prekura nga ngrohja globale nga efektet negative.

Studimi paralajmëroi se nëse politikat aktuale të klimës vazhdojnë, vdekjet e shkaktuara nga nxehtësia ekstreme në Evropë, veçanërisht në mesin e njerëzve që jetojnë në rajonet jugore të kontinentit, mund të trefishohen deri në vitin 2100.

Studimi theksoi se temperaturat e verës në Evropë janë rritur mbi normat sezonale vitet e fundit dhe se rritja e popullsisë së moshuar, të cilët janë më të rrezikuar nga vdekja e shkaktuar nga vapa ekstreme, do ta rrisë këtë shifër me kalimin e viteve.

– Vapa ekstreme mund të çojë në vdekjen e më shumë se 55.000 njerëzve çdo vit

Studimi parashikoi se vdekjet e lidhura me nxehtësinë do të rriten me 13.5 për qind në një skenar ku temperaturat mesatare do të rriten me 3 gradë në krahasim me mesataren para Revolucionit Industrial për shkak të ngrohjes globale, dhe se kjo mund të çojë në vdekjen e më shumë se 55 mijë njerëz çdo vit, kryesisht individë mbi 85 vjeç.

Studimi vlerësoi se numri i vdekjeve nga nxehtësia mund të rritet nga 43.729 në 128.809 deri në fund të shekullit, dhe vdekjet nga të ftohtit pritet të ulen nga 363.809 në 333.703 deri në vitin 2100.

Hulumtimi theksoi se Spanja, Italia, Greqia dhe disa rajone të Francës janë ndër vendet që do të preken më shumë nga ngrohja globale dhe rritja e popullsisë së moshuar.

SHARE