RAMA U NDAN “ÇELËSIN E QYTETIT” ISH-KONGRESISTËVE DIOGUARDI

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ua ka ndarë “Çelësin e Qytetit” ish-kongresistit, Joe DioGuardi dhe bashkëshortes së tij, Shirley Cloyes DioGuardi nga Liga Shqiptaro-Amerikane.

Rama u shpreh mirënjohës ndaj tyre për kontributin e dhënë ndaj Kosovës në situatat kombëtare në të cilat ndodhej Kosova.

“Është një nder i madh që nuk përshkruhet dot me fjalë me qëndru para këtyre dy kampionëve të çështjes kombëtare dhe me e shpreh mirënjohjen tonë më të thellë për ta. Është në vend që t’i nderojmë këta dy individë të jashtëzakonshëm me ‘Çelësin” e qytetit tonë’”, tha Rama.

Kryetari Rama tha se dyert e qytetit të Prishtinës janë të hapura, ashtu siç kanë qenë edhe zemrat e tyre për kohën kur populli shqiptar ka vuajtur.

Pasi pranoi “Çelësin e Qytetit”, Joe DioGuardi tregoi pak për historinë e tij dhe theksoi se shqiptarët kanë qenë gjithmonë inspirim për të.

Joe DioGuardi tha se janë njerëzit ata që e kanë shtyrë të bëjë punën që ka bërë dhe që vazhdon të bëjë, jo paraja ose pushteti.

Ai theksoi se rrënjët e tij kanë qenë dhe mbeten shumë të rëndësishme për të.

Joe DioGuardi shtoi se tani fokusi duhet të jetë një komb shqiptar i fortë, ndonëse më parë thotë se kemi punuar për një Kosovë të pavarur.

Bashkëshortja e tij, ish-kongresistja Shirley Cloyes DioGuardi, theksoi se janë dashur plot 20 vjet punë që amerikanët ta kuptojnë vërtet çështjen e Kosovës.

“U deshën 20 vjet punë dhe përkushtim që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ta njohin Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Pra pasi Kosova u çlirua”, theksoi ajo, duke shtuar se nga viti 1994 deri në vitin 2009 ata kanë ardhur dy herë në vit në Kosovë dhe më pas kanë raportuar në kongresin amerikan për situatën që e kanë parë nga afër.

SHARE