RAMA: KËRCËNIMET PËR STABILITETIN E MALIT TË ZI DHE MAQEDONISË SË VERIUT JANË TË RREZIKSHME DHE TË PAPRANUESHME

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka reaguar pas kërcënimeve të ministrit të Mbrojtes së Serbisë, Millosh Vuçeviç ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi.

Rama thotë se kërcënimet kundër stabilitetit dhe integritetit ndaj këtyre vendeve janë të rrezikshme dhe të papranueshme.

Sipas kreut të qeverisë Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë aleatë të NATO-s plotësisht të përkushtuar ndaj sigurisë dhe integritetit territorial të njëri-tjetrit.

Rama nënvizon ‘se nuk mund dhe nuk do të lejojmë askënd të na tërheqë prapa në të shkuarën që po e lëmë pas përgjithmonë!’

‘Kërcënimet kundër stabilitetit dhe integritetit të Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi janë të rrezikshme dhe të papranueshme. Të mos harrojmë se Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë aleatë të NATO-s plotësisht të përkushtuar ndaj sigurisë dhe integritetit territorial të njëri-tjetrit. Ne kemi arritur në dekadën e fundit në këtë rajon atë që askush nuk mund ta imagjinonte në dekada të pafundme më parë dhe nuk mund dhe nuk do të lejojmë askënd të na tërheqë prapa në të shkuarën që po e lëmë pas përgjithmonë! Së bashku! Evropa e Madhe është e ardhmja jonë e vetme,’- shkruan Rama.

Ky reagim vjen pas deklaratës më të fundit të Ministrit të Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviç, i cili në një media serbe ka thënë: “Ato (Mali i Zi e Maqedonia e Veriut) mendojnë se janë në paktin e NATO-së dhe se me këtë i kanë zgjidhur problemet e tyre dhe se asgjë më nuk mund të ju ndodhë”.

Sipas ministrit serb, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë ndërhyrë në çështjet e brendshme të politikës serbe kur njohën shtetin e Kosovën, sa ky veprim ka për t’i goditur në kokë sikur që po goditet Ukraina.

“Ato kanë bërë një gabim që do t’i përndjek përsëri, ashtu siç po i ndjek të gjithë në rastin e Ukrainës, që e promovuan Kosovën si shtet të pavarur. Ato kanë hapur kutinë e Pandorës”, tha Vuçeviç.

Ndërkohë edhe Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut i kanë cilësuar si të papërshtatshme dhe të papranueshme deklaratat ministrit të Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviç.

SHARE