PRESIDENTI MILLATOVIQ I PËRKUSHTUAR RIKTHIMIT TË SIGURISË DHE STABILITETIT NË MAL TË ZI

Foto: predsjednik.me

Kabineti i Presidentit të Malit të Zi njoftoi se mbetet i hapur për të caktuar termin të premten për mbajtjen e mbledhjes së Këshillit për Siguri Kombëtare, në përputhje me kohën që i përshtatet kryeministrit Millojko Spajiq, me qëllim që të merren vendime të duhura që do të rikthejnë sigurinë e plotë për të gjithë qytetarët.

Nga Kabineti i Presidentit theksojnë se e kuptojnë vendimin e Spajiqit për të marrë përgjegjësinë dhe për të thirrur mbledhjen e Këshillit për Siguri Kombëtare, në mënyrë që përmes këtij organi operativ të analizohen kërcënimet aktuale dhe të përshpejtohet përgjigjja efikase ndaj sfidave të sigurisë.

“Kushtetuta dhe ligjet e Malit të Zi kërkojnë koordinim unik në nivelin më të lartë: Presidenti i shtetit, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit duhet të marrin pjesë në çdo mbledhje të Këshillit për Mbrojtje dhe Siguri, dhe kjo është një përgjegjësi ndaj qytetarëve të Malit të Zi,” thuhet në njoftim.

Kabineti i Presidentit, siç deklarohet më tej, mbetet i hapur për të përcaktuar një termin të premten që i përshtatet kryeministrit, në mënyrë që të merren vendime të rëndësishme për rikthimin e sigurisë së plotë për të gjithë qytetarët.

“Në një moment të kërcënimeve alarmante për sigurinë: vrasje, kërcënime ndaj sigurisë dhe dhunë ndaj zyrtarëve të zgjedhur, asnjë institucion nuk guxon të ngadalësojë aftësinë tonë për të reaguar shpejt dhe me vendosmëri. Siguria dhe dinjiteti i qytetarëve nuk janë çështje lojërash politike apo neglizhence, por janë detyrime kushtetuese dhe morale të të gjithë mbajtësve të funksioneve më të larta. Prandaj, çdo injorim i organit më të lartë kushtetues për çështjet e sigurisë kombëtare është tregues i papërgjegjësisë për të cilën duhet të merret përgjegjësi,” thuhet më tej në deklaratë.

Ata theksojnë se Presidenti Jakov Millatoviq nuk do të hezitojë kur bëhet fjalë për rikthimin e ndjenjës së sigurisë për të gjithë qytetarët e Malit të Zi dhe mbetet plotësisht i përkushtuar ndaj bashkëpunimit dhe koordinimit të të gjitha institucioneve, me qëllim që të ruhet bashkërisht siguria, stabiliteti dhe dinjiteti i vendit.

SHARE