Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarim se çfarë ndodh nëse Kuvendi i Kosovës nuk konstituohet deri më 26 korrik – afati i përcaktuar nga gjykata më herët përmes një aktgjykimi. Ajo po ashtu ka kërkuar një masë të përkohshme sa i përket afatit.
“Kërkesa jonë sot, në esencë, është kërkesë për sqarim të pasojave juridike të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh”, tha Osmani në një konferencë për media.
Osmani kujtoi se në atkgjykimin paraprak të Kushtetueses lidhur me moskonstituimin e organit ligjvënës pas zgjedhjeve të shkurtit nuk janë sqaruar pasojat juridike.
Sipas saj, qëllimi është që të sqarohet situata e moskonstituimit brenda afati, por edhe se si ushtrohen kompetencat e secilit institucion kushtetues, në mungesë të konstituimit të një prej shtyllave kryesore të parimit të ndarjes së pushteteve, që është Kuvendi.
Po ashtu, “duhet të sqarohet se çfarë ndodh nëse Kuvendi konstituohet pas 26 korrikut”, tha ajo, duke shtuar se me këtë kërkesë po synohet të parandalohen dëmet që do të mund të shkaktoheshin.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 26 qershor ka obliguar deputetët që ta konstituojnë organin ligjvënës deri më 26 korrik.
Osmani tha se në kërkesën e dërguar në Kushtetuese, që ka të bëjë me zgjidhjen e konfliktit të kompetencave, ka paraqitur edhe kërkesën për masë të përkohshme për pezullimin e afatit 30-ditor të Kushtetutës.
“Kërkesa për masë të përkohshme është mundësi që të shmanget futja e institucioneve në një bllokadë pa fund, dhe hyrja në një situatë ku institucionet do të mund të konstituoheshin në një mënyrë jokzushtetuese dhe do të ishin të pasafatshme”, tha e para e shtetit.
Ajo shtoi se një pezullim i afatit do të parandalonte shkeljen e Kushtetutës nga deputetët, konstituimin e Kuvendit pas afatit, që do të ishte jokushtetues dhe mundësinë e zgjedhjes së një qeverie, e cila po ashtu do të ishte në kundërshtim me aktin më të lartë ligjor.
Presidenca do ta tërheqë kërkesën nëse deputetët deri para kalimit të afatit të 26 korrikut arrijnë ndonjë marrëveshje për konstituimin e Kuvendit, sqaroi Osmani.